Polonia dhe Italia besojnë se Ukraina duhet të pranojë garanci të vërteta të sigurisë. Kështu deklaruan më 5 korrik kryeministrat e këtyre shteteve disa ditë para samitit të NATO-s, takim në të cilin Kievi shpreson që do të marrë sinjal të fortë se një ditë do t’i bashkohet aleancës.
Ukraina po kërkon që NATO-ja gjatë samitit më 11 dhe 12 korrik në Vilnus, të deklarojë që Kievi mund t’i bashkohet aleancës pas përfundimit të luftës me Rusinë dhe t’i japë një udhërrëfyes për anëtarësim.
Por, disa anëtarë të NATO-s, sikurse Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë qenë më të kujdesshme dhe kanë paralajmëruar kundër çdo lëvizjeje që ato druajnë se mund ta çojnë aleancën më afër ndaj një lufte aktive me Rusinë.
Moska që një kohë të gjatë thotë se zgjerimin e NATO-s është dëshmi për armiqësitë e Perëndimit.
“Ne pajtohemi plotësisht me Poloninë se nevojiten garanci të vërteta të sigurisë për Ukrainën, por po ashtu ofrimi i tyre është po ashtu kusht kyç për arritjen në të ardhmen të një paqeje të drejtë dhe afatgjatë”, tha kryeministrja italiane, Giorgia Meloni gjatë vizitës në Varshavë.
Meloni përsëriti se Italia do të vazhdojë “t’i ofrojë mbështetje” Ukrainës “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, duke shtuar se “kjo vlen edhe për samitin që do të mbahet në Vilnius”.
Kryeministrja italiane është një mbështetëse e fuqishme e Kievit pavarësisht se në koalicionin e saj qeverisës ka subjekte që në të kaluarën kanë qenë të afërta me presidentin rus, Vladimir Putin.
Ndërkaq, kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, tha se të dyja shtetet kanë qëndrime të njëjta sa i përket Ukrainës, e cila po përballet me pushtimin e paprovokuar rus që nga shkurti i vitit të kaluar.