Dyzeteshtatë filma do të konkurrojnë për çmime në Festivalin e 27-të të Filmit në Sarajevë, bënë të ditur zyrtarë të Festivalit.
Gara më e madhe e filmit në Ballkanin Perëndimor do të zhvillohet nga data 13 deri më 20 gusht.
Tetëmbëdhjetë prej filmave do të kenë premierë botërore, tre ndërkombëtare, një evropiane, 24 rajonale dhe një boshnjake.
Nga Kosova, në konkurrencë do të jenë tre filma: “Në kërkim të Venerës” me regji nga Norika Sefa, “Luaneshat e Kodrës” me regji nga Luana Bajrami dhe “Pa vend” me regji nga Samir Karahoda.
Gara do të zhvillohet për filmin më të mirë artistik, dokumentar, të shkurtër dhe të studentëve.
Festivali është themeluar nga një grup entuziastësh në vitin 1995, si një akt rezistence ndaj rrethimit të Sarajevës.
Festivali i vitit të kaluar është mbajtur për herë të parë në formatin online, për shkak të pandemisë së koronavirusit.