Ukraina tha të martën se raketa ruse janë shkatërruar gjatë një shpërthimi në Gadishullin e Krimesë.
Ky gadishull ukrainas u aneksua paligjshëm nga Rusia më 2014.
Megjithatë, Kievi mohoi përgjegjësinë për këtë incident “misterioz”.
“Një shpërthim në qytetin Dzhankoi në veri të Krimesë së pushtuar përkohësisht shkatërroi raketat ruse Kalibr-NK, teksa ato po transportoheshin përmes trenave”, tha inteligjenca ushtarake ukrainase përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale.
Hetuesit rusë më herët kishin deklaruar se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin zmbrapsur sulme me dronë në Dzhankoi dhe se pjesët e shkatërruara të dronëve dëmtuan një dyqan dhe një shtëpi, duke lënë të plagosur një person.
“Dronët e shkatërruar ranë në objekte civile”, tha Komiteti hetues rus përmes një deklarate.
Dzhankoi është një qendër logjistike dhe gjendet mes Krimesë së kontrolluar nga rusët dhe jugut të Ukrainës, që është pushtuar nga forcat ruse pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar.
Oleg Kryuchkov, një këshilltar i kreut të instaluar rus në Krime, tha se sulmi duket se ishte “hakmarrje” për aneksimin.
Ky shpërthim ndodhi disa ditë pasi Moska festoi 9-vjetorin e aneksimit të gadishullit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë fundjavës që shkoi vizitoi Krimenë. Kjo ishte vizita e tij e parë në këtë gadishull, që kur ai urdhëroi dërgimin e trupave në Ukrainë më 24 shkurt 2022.