Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ofruar emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, bashkëpunim për “adresimin e shpejtë” të shqetësimeve që kanë të bëjnë me ndalimin e përdorimit të dinarit serb. Ndërkaq, zyrtari i lartë amerikan tha se i ka prezantuar Kurtit disa propozime për këtë çështje, që udhëheqësi kosovar i ka premtuar se do t’i shqyrtojë.
Si Kurti, ashtu edhe Escobar, e cilësuan si të mirë bisedën që zhvilluan më 14 mars në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, që zgjati pothuajse dy orë.
Escobar përsëriti qëndrimin amerikan për adresimin e menjëhershëm të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës. Rregullorja, që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave, ka hyrë në fuqi më 1 shkurt. SHBA-ja e ka kritikuar këtë rregullore, duke thënë se nuk merr parasysh ndikimet negative te popullata serbe në Kosovë.
Escobar tha se askush nuk mund të mos preket kur dëgjon se si pjesa më e cenueshme e shoqërisë nga komuniteti serb po ndikohet nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave në Kosovë.
“Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shikonte disa nga propozimet që ia paraqita sot", tha Escobar.
Ndërkaq, përmes një njoftimi për media, Zyra e Kurtit tha se diskutimet për rregulloren e BQK-së ishin përmbajtësore dhe të përqendruara në "adresimin e shqetësimeve të përbashkëta".
"Për shkak të ndikimit të rregullores në komunitetin serb të Kosovës, Qeveria ka bërë veprime për të siguruar që tranzicioni të jetë i shpejtë dhe i lehtë për qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb. Në këtë drejtim, kryeministri theksoi edhe propozimet që janë prezantuar për periudhën tranzitore dhe ofroi bashkëpunimin në adresimin e shpejtë të të gjitha shqetësimeve që bien në kompetencat e Qeverisë", u tha në njoftim.
Dinari, sfidë "në raportet SHBA-Kosovë"
Duke folur për mediat në Prishtinë, Escobar tha se çështja e dinarit serb paraqet sfidë në raportet e SHBA-së me Kosovën, por ai theksoi se Uashingtoni mbetet partneri më i besueshëm dhe i angazhuar i Kosovës.
"Të jem i sinqertë, këto sfida janë për shkak të trajtimit tani që po i bëhet minoritetit serb. Është për keqardhje që duhet të kalojmë nëpër këtë situatë. Por, rregullorja e BQK-së për dinarin ka shkaktuar probleme për disa prej qytetarëve e këtij shteti dhe jemi shumë të shqetësuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje, por mendoj se është një çështje urgjente humanitare të cilën duhet ta adresojmë menjëherë", tha Escobar.
I pyetur nëse SHBA-ja ka një qasje të pabalancuar kundrejt Kosovës, Escobar tha se shteti i tij që nga viti i kaluar ka bërë gjithçka në favor të Kosovës. Ai tha se Uashingtoni ka mbështetur aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ka mbështetur proceset demokratike, përfshirë zgjedhjet në veri të Kosovës, e ka mbështetur Prishtinën pas sulmit të armatosur në Banjskë dhe ka mbështetur vendimin për shitjen e sistemeve kundërtanke Javelin.
“Si mund të jemi të pabalancuar? Nuk jemi. Gjithçka që kemi bërë ka qenë për Kosovën dhe do të vazhdojmë të veprojmë kështu. Ndërkohë, ne shpresojmë që Kosova të mund të dëgjojë shqetësimet tona dhe kjo nuk besoj që duhet të jetë shumë e vështirë”, tha ai.
Gjatë adresimit për gazetarë, Escobar tha se shpreson që Qeveria e Kosovës të jetë fleksibile gjatë një takimi të dialogut të martën e ardhshme.
Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet e saj diplomatike se takimi i 19 marsit në Bruksel do të jetë në nivel të kryenegociatorëve.
Pritet që në atë takim të diskutohet për planin e sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë për çështje të tjera, me mundësinë e përfshirjes në diskutime edhe të çështjes së dinarit.
Çështja e dinarit ka tendosur raportet mes Qeverisë Kurti dhe administratës amerikane, teksa zyrtarët amerikanë kanë deklaruar më herët se ekzekutivi kosovar nuk po i trajton si partnerë.
Vendimi për rregulloren e BQK-së është kritikuar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, që kanë argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative te popullata serbe që jeton në Kosovë.
Uashingtoni ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërkaq BE-ja ka kërkuar që për këtë çështje të gjendet një zgjidhje në kuadër të dialogut në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel - rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Escobar nisi vizitën e tij në Kosovë një ditë më herët, kur u takua me presidenten Vjosa Osmani, me krerët e partive opozitare dhe me përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë.
Pas takimit me Osmanin, emisari amerikan u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.
Ndërkaq, pas takimit të tyre me emisarin amerikan, disa politikanë serbë u shprehën të “inkurajuar” me qasjen e SHBA-së ndaj disa vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës dhe thanë se kanë marrë garanci nga ai për zgjidhje “në favor të komunitetit serb”.
Para nisjes së vizitës në Kosovë, Escobar deklaroi se zbatimi i vendimit i autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb, ishte “jokompetent” dhe “katastrofik”.
Emisari amerikan do të përmbyllë vizitën e tij në Kosovë, të premten, më 15 mars.