Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, ka shprehur mbështetjen e tij që të ketë progres në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Këto komente janë bërë gjatë një bisede telefonike të zhvilluar më 19 nëntor mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Escobarit, i cili njëherësh është i dërguar i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.
“Escobar theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe përkushtimin e SHBA-së që Kosova dhe rajoni të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Në lidhje me dialogun në Bruksel, ai shprehu mbështetjen e tij dhe përkushtimin që të ketë progres në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit.
Në njoftim thuhet se kryeministri Kurti e ka falënderuar Escobarin për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës.
Kreu i ekzekutivit kosovar, e ka siguruar Escobarin për “përkushtimin e Kosovës për dialog parimor, ku në qendër është njohja e ndërsjellë. Kryeministri po ashtu theksoi rëndësinë që në Serbi, por edhe në rajon, të ketë ballafaqim me të kaluarën si dhe balancë e simetri në trajtimin e pakicave”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Escobar citohet të ketë thënë se pret që së shpejti ta vizitojë Kosovën.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson këtë proces, ka thënë se pret që deri para fundit të vitit të ketë një takim në nivel të lartë politik ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurti dhe Vuçiq për herë të fundit janë takuar në Bruksel në muajin korrik.