Emmanuel Macroni e ka emëruar Gabriel Attalin kryeministër të ardhshëm të Francës, në përpjekje për ta ringjallur Presidencën e vet me një qeveri të re.
Si 34-vjeçar, Attal bëhet kryeministri më i ri në moshë në historinë moderne të Francës, duke e tejkaluar madje edhe socialistin Laurent Fabius, i cili ishte 37 vjeç kur u emërua nga François Mitterrand më 1984.
Attali e zëvendëson Elisabeth Bronen, e cila dha dorëheqje pas vetëm 20 muajve në detyrë.
Gjatë qëndrimit në pushtet, ajo hasi në vështirësi për shkak të mungesës së shumicës në Parlament.
Gabriel Attal, i cili është aktualisht ministër i Arsimit, ka marrë vëmendje të madhe pas emërimit.
Tani, detyra e tij do të jetë ta udhëheqë Qeverinë e Francës para zgjedhjeve të rëndësishme të Parlamentit Evropian në qershor.
Rritja e tij ka qenë e shpejtë. Para dhjetë vjetëve, ai ishte këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe anëtar i Partisë Socialiste.
Ai do të jetë, gjithashtu, homoseksuali i parë i deklaruar që do ta zërë zyrën e kryeministrit të Francës, Matignon.