Ndërlidhjet

G7 kërkon zgjatjen e armëpushimit në Gazë


Pamjet nga lart shfaqin shkatërrimin në Rripin e Gazës. 28 nëntor 2023.
Pamjet nga lart shfaqin shkatërrimin në Rripin e Gazës. 28 nëntor 2023.

Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) kanë mbështetur zgjatjen e mëtejme të ndalimit aktual të luftimeve në Gazë.

Përmes një deklarate për media, G7 tha se pauzat e reja të armëpushimit do të duhej të përfshinin edhe rritjen e ndihmës dhe lehtësimin për lirimin e të gjitha pengjeve të marra nga Hamasi – grupi militant palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Çdo përpjekje duhet të bëhet duke u siguruar mbështetja humanitare për civilët... Ne mbështesim zgjatjen e mëtejme të kësaj pauze dhe pauzat e ardhshme duhet të lejojnë që ndihma të rritet dhe të lehtësohet lirimi i të gjitha pengjeve”, u tha në deklaratën e përbashkët të ministrave të Jashtëm të G7-s.

Armëpushimi aktual mes Izraelit dhe Hamasit, grup radikal që udhëheq me Gazën, është armëpushimi i parë pas shtatë javësh luftë, që ka rrafshuar Rripin e Gazës dhe ka lënë të vrarë mbi 15.000 persona, sipas zyrtarëve shëndetësorë në këtë territor.

Lufta Izrael-Hamas u nxit pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke zënë peng afër 240 të tjerë.

Armëpushimi aktual parasheh lirimin e pengjeve nga Hamasi në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli.

Në deklaratën e G7-s po ashtu u mirëprit lirimi i pengjeve nga Hamasi.

Hamasi ka liruar edhe 12 pengje të tjera më 28 nëntor, ndërkaq Izraeli ka liruar 30 të burgosur palestinezë. Armëpushimi aktual pritet të përfundojë të enjten.

Numri i përgjithshëm i pengjeve të liruara që nga e premtja – kur nisi armëpushimi – është 81, ndërkaq Izraeli ka liruar 180 të burgosur.

“Ne si G7 bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve”, u tha në deklaratën e G7-s.

Në deklaratë po ashtu u theksua “e drejta e Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij”, por po ashtu u tha se është e rëndësishme “që të mbrohen civilët dhe të respektohen ligjet ndërkombëtare”.

Ministrat e G7-s thanë po ashtu se janë të përkushtuar për krijimin e një shteti palestinez përmes zgjidhjes me dy shtete. Ata po ashtu kërkuan që të mos lejohet që konflikti të përshkallëzohet edhe më tej.

Në G7 bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG