Ndërlidhjet

Fushatë burrash që lë nën hije gratë


Ilustrim.
Ilustrim.

Grave kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës, nuk po u jepet hapësira e mjaftueshme në tubime para zgjedhore, thonë përfaqësuese të organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave.

Sipas tyre, edhe në këtë parafushatë që po zhvillohet, pasi që fushata zgjedhore zyrtarisht për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 6 tetorit fillon më 25 shtator, burrat po dominojnë me prezencë si në debate në media ashtu edhe në tubime me qytetarë.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, e quan absurd faktin se të gjitha partitë politike, në takime të ndryshme më qytetarë po premtojnë avancimin e pozitës së gruas, e në realitet, sipas saj, po ndodh e kundërta.

“Prezenca e grave në parafushatën zgjedhore është e ulët. Në debatet televizive shohim mungesë drastike të grave politikane, e po ashtu edhe të personave që analizojnë programet e partive në fushatë. Kemi liderë që përmendin gratë ose kohe pas kohe flasin për çështje të grave, por ato trajtohen në mënyrë sipërfaqësore dhe jo në mënyrën se si duhet të trajtohet çështja e barazisë gjinore”, tha Demolli.

Sipas saj, ajo që vërehet më tepër në këtë parafushatë zgjedhore, është edhe dukuria kur gratë mbajnë tubime me gra, kurse burrat me burra.

“Në rrjete sociale për çdo ditë shihet se disa gra kanë mbledhur disa gra tjera, kurse disa burra kanë mbledhur burra të tjerë në tubime, gjithçka e ndarë. Barazia gjinore është vlerë e shtetit të ri të Republikës së Kosovës”, tha Demolli.

Me gjithë kritikat për margjinalizimin e grave, në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, është e kandiduar edhe një grua për kryeministre. Ajo është Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike të Kosovës.

Kurse disa nga kandidatet gra për deputete në Kuvendin e Kosovës, pranojnë se prezenca e grave është e vogël në debate nëpër media dhe tubime me qytetarë, por sipas tyre, kjo nuk pengohet nga subjektet politike që i takojnë.

Albulena Balaj-Halimi, nga Nisma Socialdemokrate, parti kjo në koalicion me Aleancën Kosova e Re dhe Partinë e Drejtësisë, thotë se çdo ditë merr pjesë në aktivitete parazgjedhore me gra në vende të ndryshme të Kosovës. Sipas saj, pas 25 shtatorit kur edhe fillon zyrtarisht fushata, ajo thotë se do të ketë angazhim edhe më të madh.

Ajo thotë se koalicioni i partive të cilit i përket, u jep grave hapësirë të mjaftueshme për veprim, por aktiviteti varet edhe nga vullneti dhe kostoja financiare. Balaj-Halimi tregon edhe arsyen pse një pjesë e parafushatës po e zhvillon vetëm me gra.

“Mbi 60 për qind të votueseve në Kosovë janë gra. Për këtë duhet t’u kushtohet rëndësi grave, kështu që para fillimit zyrtar të fushatës, duhet të merren ide apo kërkesa nga gratë se çka mund të fusim në program”, tha Balaj- Halimi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Mrika Thaçi, kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se gjatë kësaj periudhe po dominojnë burrat, por edhe duke e dhënë shpjegimin pse po ndodh kjo gjë.

“Në parti secili e ka hapësirën e vetë, secili e ka mundësinë dhe të drejtën për të zgjedhur elektoratin aty ku mund të depërtohet. Nuk është ndonjë pengesë për shkak se je grua. Por, në përgjithësi, nëse fokusohemi në debate televizive, më pak ka femra dhe më shumë ka burra. Ndoshta është edhe hezitimi grave për t’u paraqitur në debate dhe tubime të ndryshme”, tha Thaçi.

Sipas shoqërisë civile, edhe pjesëmarrja e grave në listat zgjedhore është jo e barabartë. Partitë politike në Kosovë tashmë kanë hartuar dhe dorëzuar listat e kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, duke përfshirë edhe kuotën ligjore e cila parasheh që 30 për qind e kandidatëve të jenë gra.

Valmir Elezi, zëdhënës në Komisionin Qendrore të Zgjedhjeve, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se të gjitha partitë politike kanë respektuar në mënyrë minimale bazën ligjore për kuotën gjinore.

Sipas tij, në listat e partive politike gjithsejtë janë 1068 kandidatë të certifikuar dhe nga ky numër 343 janë gra dhe 725 burra.

Në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, thuhet se “në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë për qind janë meshkuj dhe së paku tridhjetë për qind janë femra; me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë”.

“Mund të themi se subjektet politike kanë respektuar kuotën gjinore që kërkohet me nenin 27 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës”, theksoi Elezi.

Blerta Aliu nga koalicioni i organizatave jo qeveritare “Demokracia në Veprim”, thotë se përfaqësimi gjinor është jo i barabartë në Kosovë dhe kjo, sipas saj, ndodh për shkak të mos harmonizimit të ligjeve për këtë çështje.

“Nuk kemi lista 50 me 50 me pjesëmarrje të të dyja gjinive. Gratë janë të përfaqësuara përmes kuotës 30 për qind. Nga 1068 persona që janë certifikuar si kandidatë për të garuar në zgjedhjet e 6 tetorit, vetëm 32 për qind janë gra. Pra, edhe kësaj radhe nuk është respektuar Ligji për barazi gjinore, por është respektuar Ligji për zgjedhjet e përgjithshme që kërkon kuotën prej 30 për qind për gratë. Ne konsiderojmë që duhet një harmonizim i këtyre dy ligjeve në favor të Ligjit për barazi gjinore, në mënyrë që të kemi përfaqësim të barabartë në listat zgjedhore”, tha Aliu.

Në bazë të Ligjit për barazi gjinore thuhet se përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, por edhe institucionet tjera publike, arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej 50 për qind për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse.

Pozita më e lartë e mbajtur ndonjëherë nga ndonjë grua në Kosovë është ajo e presidentes së Kosovës nga Atifete Jahjaga, nga viti 2011 deri në vitin 2016.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG