Reuters
Fushata për zgjedhjet presidenciale, që mbahen në prill në Francë, veçse ka filluar të bëhet interesante, teksa në garë është shfaqur një komentues televiziv i krahut të djathtë, që po lufton me Marine Le Pen, se kush nga ta do të jetë kundërshtar i presidenti aktual, Emmanuel Macron, në rundin e balotazhit.
Më poshtë mund të lexoni disa prej pikave kyçe të kësaj fushate:
Kush do të fitojë?
Opozita është e dobët dhe e fragmentuar dhe sondazhet vazhdimisht thonë se Macroni do të udhëheqë në rundin e parë të zgjedhjeve dhe me gjasë do të mposhtë çdo kundërshtar në rundin e dytë, duke fituar kështu mandatin e dytë presidenciale.
Por, fushata parazgjedhore veçse ka sjellë mjaft befasi, me Eric Zemmour nga ekstremi i djathtë, që i është bashkuar garës për president.
Edhe nëse Macron fiton mandatin e dytë presidenciale, atij po ashtu i duhet një fitore e partisë së tij të re – që në zgjedhjet e fundit lokale dështoi të fitojë – në zgjedhjet parlamentare që mbahen në qershor, nëse Macron dëshiron që të zbatojë lehtësisht politikat e tij.
Çfarë pritet të ndodhë?
Garë e ashpër për të hyrë në rundin e balotazhit pritet të ndodhë ndërmjet Zemmour dhe Le Pen, që vijnë nga partia e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar.
Në këtë fazë, konservatorët kryesorë nuk është se kanë shanse reale për rundin e dytë, por ata ende shpresojnë se mund të bëjnë një rikthim. E majta e fragmentuar, gjerësisht konsiderohet se është jashtë garës presidenciale.
Kompania mediale franceze, CNews ka marrë një kahe më konservatore që prej se mandati Vicente Bollore e bleu atë. Kjo media gjerësisht e favorizon Zemmourin.
Presidenti aktual i Francës, Emmanuel Macron ende zyrtarisht nuk e ka konfirmuar kandidaturën edhe për një mandat. Por, ai veçse ka filluar fushatën parazgjedhore.
Por, a mund që Macroni ta humbë avantazhin? Në zgjedhjet e vitit 2017, favoritët e humbën garën, pikërisht nga një person që nuk konsiderohej kandidat favorit– Macroni. Ndërkaq, më 2012 sondazhet kishin nxjerrë saktë emrin e fituesit të zgjedhjeve presidenciale disa muaj para zgjedhjeve, por kjo nuk ka ndodhur në zgjedhjet e tjera. Për shkak se niveli i personave që pritet të mos dalin fare në zgjedhje është shumë i lartë, personat që bëjnë matjen e opinionit të publikut thonë se është pothuajse e pamundur që të parashikohet se çka do të ndodhë në zgjedhje, duke nxitur edhe më shumë pasiguri.
Datat kyçe
- Më 4 dhjetor, partia Republikane zgjedh kandidatin e saj për president
- Më 10 prill mbahet rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale
- Më 24 prill mbahet rundi i dytë ndërmjet dy kandidatëve kryesorë
- Më 13 maj, presidenti i ri merr detyrën
- Më 12 dhe 19 qershor mbahen zgjedhjet parlamentare
Për çka do të luftohet në zgjedhjet presidenciale?
Partitë e ekstremit të djathtë kanë dominuar diskursin politik në fushatën parazgjedhore falë propozimeve provokuese të bëra nga Zemmour, i cili ka qenë i dënuar për nxitje të urrejtjes. Kandidatët e tjerë, nga e majta dhe e djathta, kanë ndjekur shembullin e tij, duke bërë deklarata të forta për migrimin.
Por, në kohën e rritjes së çmimeve të rrymës, një sondazh i OpionionWay, por edhe sondazhe të tjera, kanë thënë se energjia elektrike dhe jo migracioni, është tema më e rëndësishme për votuesit, e pasuar nga mbrojtja sociale, ndërkaq çështjet e sigurisë dhe migrimi janë më poshtë në listën e prioriteteve të votuesve.
Temë kyçe po ashtu është edhe rimëkëmbja ekonomike. Sipas sondazheve, votuesit janë të pakënaqur me politikën ekonomike të Macronit – por, ata nuk mendojnë se ndonjëri prej kundërshtarëve të tij mund të bëjë diçka më mirë në këtë fushë.
Shqetësimet për shëndetin mund të kthehen në prioritet për votuesit, veçanërisht pas shfaqjes së variantit Omicron të koronavirusit, që ka nisur të rrit numrin e infektimeve.
Pse këto zgjedhje janë të rëndësishme?
Pasi Britania u largua nga Bashkimi Evropian, Franca është fuqia kryesore ushtarake e bllokut evropian, dhe padyshim ekonomia e dytë më e madhe. Me kancelaren gjermane, Angela Merkel që po largohet nga politika, mandati i dytë presidencial për Macronin, do ta bënte atë liderin kryesor të Evropës.
Një përballje në rundin e balotazhit ndërmjet Macronit dhe Le Pen apo Zemmour, do të ishte një test i rëndësishëm për qëndrueshmërinë e të djathtës ekstreme të Evropës, që është zgjeruar në mbarë kontinentin gjatë dekadës së fundit, por ndikimi i saj ka nisur të zbehet në disa shtete.
Macron, apo çdo rival që do ta mposhtë atë, pritet të përballet me zemërimin e publikut sa i përket ndikimit të pandemisë COVID-19, me një sistem pensionesh që shumëkush thotë se duhet të reformohet dhe me ambiciet për të riindusrializuar Francën.
Cilët pritet të jenë kandidatët kryesorë?
Emmanuel Macron. Dyzetetrevjeçari, presidenti aktual i Francës, u zgjodh më 2017 kur garoi me një platformë centriste, por ato politikat e tij devijuan djathtas. Tani, ai pritet që t’i futet sërish garës presidenciale.
Liderja e partisë të së djathtës ekstreme, Tubimi Kombëtar, Marine Le Pen. Kjo është hera e tretë që ajo garon për presidente. Më 2017, ajo arriti që të futej në rundin e balotazhit dhe sondazhet parashikojnë që edhe kësaj radhe të jetë në balotazh, por kandidimi i Zemmourit mund të kërcënojë shpresat e saj për postin e presidentit.
Partia konservatore, Republikanët do të vendosë më 4 dhjetor për kandidatin e saj, por me gjasë gara do të jetë ndërmjet ish-shefit të BE-së për Brexit-in, Michel Barner, presidentes së rajonit të Parisit, Valerie Pecresse dhe presidentit të rajonit Hauts-de-France, Xavier Bertrand.
Ndërkaq, Yannick Jadot nga të Gjelbërit, socialistja Anne Hidalgo dhe Jean-Luc Melenchon nga partitë e majta, janë në mesin e kandidatëve që nuk kanë shumë shanse për t’u kualifikuar për rundin e balotazhit.