Ndërlidhjet

Premtimet që përsëriten në çdo fushatë zgjedhore


Fotografi nga arkivi
Fotografi nga arkivi

Fushata e partive politike për zgjedhjet lokale të 22 tetorit në Kosovë ka vazhduar me premtime afërsisht të ngjashme me ato që janë dhënë në fushatat e kaluara.

Monitoruesit e proceseve zgjedhore dhe analistët politikë thonë se këto premtime jo vetëm që ngjasojnë me ato të para katër viteve, por edhe me premtimet e dhëna në periudhën e hershme të pasluftës.

Zgjedhjet e para pas luftës në Kosovë ishin mbajtur në vitin 2001.

E gjithë kjo, sipas tyre, lë të nënkuptohet se premtimet që ishin dhënë në të kaluarën nuk janë realizuar nga kandidatët që kishin zgjedhur për të udhëhequr me komunat.

Premtimet që përsëriten, besohet se kanë të bëjnë me nevojat themelore të qytetarëve.

Trajtimi i ujërave të zeza, shërbime cilësore publike, asfaltime rrugësh, cilësi në arsim dhe ndërtim i shkollave apo edhe ngritja e cilësisë në shërbimet shëndetësore, janë disa nga premtimet që përsëriten gati në çdo fushatë zgjedhore në Kosovë.

Analisti i çështjeve politike, Ismajl Hasani, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo përsëritje e premtimeve lë të kuptohet se nuk është punuar si duhet nga kryetarët e komunave.

Për fat të keq, Kosovës i mungon lidershipi, i mungon edukimi jo vetëm politik, por edhe profesional i njerëzve që pranojnë kandidimin për një post. Ndër vite dhe në sa e sa zgjedhje komunale e nacionale që janë mbajtur që nga paslufta e këndej, gjithmonë është folur për trajtimin e ujërave të zeza, për deponitë e mbeturinave, për shërbime cilësore..., janë të gjitha këto gjëra të cilat nuk janë bërë”, thotë Hasani.

Ai e konsideron të pakuptim faktin se ka disa kandidatë të cilët, disa herë kanë kandiduar për kryetar komune me të njëjtat premtime.

Ndërkohë edhe përfaqësues të organizatave që merren me monitorimin e fushatave zgjedhore në Kosovë thotë se premtimet e kandidatëve për kryetar të komunave janë të përsëritura, pasi që si të tilla nuk janë realizuar.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo e cila merret me monitorimin e fushatës zgjedhore, thotë se mund të ketë aty këtu ndonjë përjashtim në komuna të caktuara, mirëpo në përgjithësi ende në gjithë vendin diskutohet për çështje bazike.

Sipas tij, ende vazhdojnë premtimet për ujë të pijes, infrastrukturë rrugore, shërbime cilësore publike, largimi i mbeturinave e çështje të tjera.

Kjo fushatë për zgjedhjet lokale nuk ka sjellë ndonjë risi nëse krahasohet me fushata e mëhershme, qoftë për zgjedhje nacionale qoftë lokale. Nëse krahasohet me zgjedhjet lokale në shumicën e komunave të Kosovës premtimet paraelektorale janë të njëjta, shumica e tyre ndërlidhen me infrastrukturën ose me realizimin më të mirë të shërbimeve komunale”, thotë Murati.

Përsëritja e premtimeve të njëjta gati në çdo fushatë elektorale, shton Murati, janë treguesi më i mirë i dinamikës të punës që zhvillohet në vend.

Kjo tregon joseriozitetin që subjektet politike mund ta kenë në punën e tyre dhe në mospërmbushjen e premtimeve në këtë rast. Mjafton që të merret vota e qytetarit e pastaj punët kryhen më ngadalë dhe jo më vëmendjen e duhur”, thekson Murati.

Fushata për zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të zgjasë deri më 20 tetor. Më 21 tetor, do të jetë heshtje zgjedhore. Ndërsa, më 22 tetor do të mbahen zgjedhjet lokale në 38 komunat e Kosovës. Si rezultat do të zgjidhen kryetarët e rinj të komunave dhe këshilltarët nëpër asambletë komunale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG