Fushata për referendum për Marrëveshjen për emrin me Greqinë, të cilën do ta udhëheqë Parlamenti i Maqedonisë, do të kushtojë 1 milion e 300 mijë euro. Por, ende nuk është bërë e ditur se cilat aktivitete do të mbulohen me këto mjete.
Në referendum, qytetarët e Maqedonisë duhet të deklarohen se janë pro ose kundër “anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqinë”.
Partitë politike kanë afat deri të hënën që të deklarohen se a do të përfshihen në fushatën për referendumin, i cili është caktuar të mbahet më 30 shtator.
Njohësit e çështjeve politike për Radion Evropa e Lirë vlerësojnë se pavarësisht se referendumi ka karakter konsultativ, kalimi i pragut të daljes në referendum, përkatësisht dalja mbi 50 të trupit elektoral, legjitimon marrëveshjen e njohur si Marrëveshja e Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë.
“Nëse referendumi del i suksesshëm, përkatësisht do të ketë një jehonë mbi 51 për qind nga trupi elektoral dhe pjesa më e madhe do të votoni pro, kjo do të paraqiste një legjitimin të marrëveshjes Maqedoni-Greqi dhe në një farë mënyre detyrim për opozitën maqedonase, e cila edhe pse është shprehur kundër saj, që të përkrahë ndryshimet kushtetuese, në funksion të zbatimit të marrëveshjes në fjalë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Xhelal Neziri nga qendra për Gazetari Hulumtuese SCOOP.
Sipas Nezirit, do të jetë shumë e vështirë që të mobilizohen të dalin në referendum qytetarët të cilët janë të pavendosur ose anëtarësia e VMRO-DPMNE-së, nëse kjo parti do të vendosë të bojkotojë referendumin.
“Do të jetë shumë vështirë ata të cilët janë të papërcaktuar sepse të njëjtit nuk janë dhe aq të interesuar për atë që është duke rrjedhur si proces politik këtu në Maqedoni. Bëhet fjalë për njerëz që nuk u intereson politika dhe rrjedhimisht nuk u intereson as referendumi. Aty ku duhet bazuar partitë politike janë votuesit e tyre më besnikë, që ata të mund të motivohen që të dalin dhe të votojnë në referendum”, thotë Neziri.
Përderisa analisti politik maqedonas, Mitko Gaxhovski, vlerëson se partitë në pushtet, të cilat janë deklaruar pro referendumit, duhet të fokusojnë gjithë energjinë për t’u shpjeguar qytetarëve rëndësinë e marrëveshjes Maqedoni-Greqi dhe perspektivat të cilat i hapen vendin me këtë marrëveshje.
Sipas Gaxhovskit, me rëndësi të veçantë është që qytetarëve, përmes kontakteve të drejtpërdrejta, t’u shpjegohet se me marrëveshjen në fjalë, në asnjë mënyrë nuk preket identiteti maqedonas.
“Duhet të sqarohet mirë çdo detaj i marrëveshjes Maqedoni-Greqi, përmes së cilës hapen perspektivat integruese për Maqedoninë si shtet, në mënyrë që, grupe të caktuara apo individë të ndryshëm, të mos merrem me spekulime dhe t’i ç’orientojnë qytetarët, duke nxitur dyshime për çështje të ndjeshme, siç është identiteti maqedonas dhe duke i orientuar qytetarët të bojkotojnë referendumin”.
“Personalisht vlerësoj se pakoja që zgjidh mosmarrëveshjet mes dy vendeve fqinje Maqedonisë dhe Greqisë, në planin afatgjatë do të sjellë më shumë efekte pozitive”, thotë njohësi i çështjeve politike, Mitko Gaxhovski.