Ndërlidhjet

Shtatë të vdekur pas fundosjes së një cisterne në Japoni


Keoyoung Sun, duke u fundosur në brigjet e Japonisë.
Keoyoung Sun, duke u fundosur në brigjet e Japonisë.

Shtatë persona kanë vdekur pasi një anije e Koresë së Jugut u fundos afër një ishulli në jugperëndim të Japonisë, thanë rojet bregdetare, duke shtuar se anija kishte nëntë anëtarë në ekuipazh.

Rojet bregdetare ende po kërkojnë edhe dy persona që gjendeshin në cisterne me lëndë kimike, e cila u përmbys pasi kishte njoftuar se ishte përballur me kushte të këqija në det. Për njërin prej tyre thanë se është ende gjallë, ndërkaq gjendja e tjetrit ende nuk dihet.

Rojet bregdetare thanë cisterna Keoyoung Sun kërkoi ndihmë, pasi kishte raportuar se anija po anohej teksa po përballej me kushte të këqija të motit afër ishullit japonez, Mutsure.

Ishulli gjendet pranë ishullit kryesor në jugperëndim të Japonisë, Honshu, rreth 1.000 kilometra larg Tokios.

Derisa ekipet e shpëtimit arritën në skenë, anija veçse ishte fundosur, thanë rojet bregdetare. Pamjet e shfaqura nga televizioni NHK treguan anijen krejtësisht të kthyer përmbys.

Kapiteni i anijes ishte jugkorean, ndërkaq në ekuipazh kishte edhe një tjetër anëtar nga Koreja e Jugut, një shtetas kinez dhe tetë nga Indonezia, thanë autoritetet.

Cisterna po bartte 980 tonë acid akrilik, thanë zyrtarët. Deri më tani nuk është vërejtur se ka pasur rrjedhje të lëndëve kimike, përderisa autoritetet thanë se duhet të ndërmarrin masa për mbrojtjen e mjedisit në rast se do të ketë rrjedhje të lëndëve kimike.

Acidi akrilik përdoret në plastikë, rrëshirë dhe veshje dhe mund të irritojë lëkurën e sytë, sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet nuk kanë dhënë më shumë detaje se si anija u fundos.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG