Ndërlidhjet

Gjashtë të vdekur pas fundosjes së nëndetëses turistike në Egjipt


Pamje e zonës ku u fundos nëndetësja në Detin e Kuq në Egjipt.
Pamje e zonës ku u fundos nëndetësja në Detin e Kuq në Egjipt.

Gjashtë turistë kanë vdekur pasi nëndetësja turistike në të cilën gjendeshin u fundos pranë resortit Hurgada në Detin e Kuq të Egjiptit, raportoi media shtetërore. Konsullata ruse tha se 45 shtetas rusë gjendeshin në nëndetëse.

Konsullata e Rusisë në Hurgada tha se nëndetësja po transportonte "45 turistë, përfshirë të mitur" dhe katër nga ta kishin vdekur.

"Sipas të dhënave të para, shumica e atyre që gjendeshin në nëndetëse u shpëtuan dhe u dërguan në hotele dhe spitale në Hurgada", tha konsullata.

Ndërkaq, gazeta në pronësi shtetërore, Akhbar Al-Youm tha se të gjithë viktimat ishin të huaj, duke shtuar se janë lënduar edhe 19 të tjerë.

Media shtetërore ruse, Ria Novosti, duke cituar burime brenda shërbimeve të emergjencës të Egjiptit, raportoi për vdekjen e "pesë të huajve dhe një shtetasi të Egjiptit".

Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e aksidentit, raportoi kjo gazetë, duke shtuar se të lënduarit janë transportuar në spitalet që gjenden afër, së bashku me trupat e viktimave.

Hurgada, qytet turistik që gjendet rreth 460 kilometra në juglindje të kryeqytetit egjiptian, Kairo, është një destinacion i rëndësishëm i turistëve që vizitojnë Egjiptin.

Shkëmbinjtë koralorë dhe ishujt në brigjet lindore të Egjiptit tërheqin shumë turistë, duke kontribuar në sektorin e turizmit, që është vital për ekonominë e Egjiptit. Ky sektor punëson mbi 2 milionë persona dhe gjeneron mbi 10 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm.

Përderisa dhjetëra anije turistike lundrojnë çdo ditë në këtë zonë bregdetare për aktivitete të ndryshme rekreative dhe për zhytje, në ueb-faqen e Sindbad Submarines, pronarit të nëndetëses së fundosur, thuhet se kompania e përdor “nëndetësen e vetme të vërtetë” në rajon për rekreacion.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG