Ndërlidhjet

Fukuyama: Putini është kërcënim për secilën demokraci në botë


Politologu amerikan, Francis Fukuyama. Fotografi nga arkivi.
Politologu amerikan, Francis Fukuyama. Fotografi nga arkivi.

Politologu amerikan, Francis Fukuyama, ka thënë se ish-udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbachev, do të kujtohet për kontributin e tij të pakrahasueshëm për liritë njerëzore. Gorbachev ka vdekur më 30 gusht në moshën 91-vjeçare. Në një intervistë për Current Time – projektin e Radios Evropa e Lirë dhe Zërit të Amerikës, ai flet edhe për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe se si i sheh vendimet e fundit të presidentit rus, Vladimir Putin. Fukuyama insiston që procesi i negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës të nisë vetëm pasi të dëbohet ushtria ruse nga territoret ukrainase që ka pushtuar pas 24 shkurtit të këtij viti.

Radio Evropa e Lirë: Fillimisht, dua t’ju pyes për ish-udhëheqësin sovjetik, Mikhail Gorbachev, i cili ka vdekur në moshën 91-vjeçare. Çfarë roli ka pasur ai në histori?

Francis Fukuyama: Mendoj se ai do të kujtohet si figurë e madhe historike. Ai ka qenë lider që ka dashur liri më të madhe për ish-Bashkimin Sovjetik. Nuk jam i sigurt që ka dashur këtë lloj demokracie. Mirëpo, ai sigurisht që me politikën e tij të njohur si Glastnost, ka dashur që njerëzit të flasin me sinqeritet për të kaluarën e tyre.

Më e rëndësishmja është se ai nuk ka pasur gatishmëri të përdorë forcën, në mënyrë që të mbajë të bashkuar ish-Bashkimin Sovjetik. Kjo gjë ka qenë shumë e rëndësishme për t’ua mundësuar shteteve të Evropës Qendrore që të jenë të lira nga ndikimi sovjetik dhe që të bëhen të pavarura. Një kontribut i tillë për liritë njerëzore është i pakrahasueshëm me veprimet e liderëve tjerë atë kohë.

Në aspekte të ndryshme mendoj se Gorbachev e ka reflektuar shoqërinë e tij, nuk ka qenë i kënaqur me komunizmin, e ka kuptuar të keqen e trashëgimisë. Ndërkohë ka pasur ndryshime kulturore në Rusi dhe rrëshqitje drejt shovinizmit e fuqive më të mëdha. Në ditët e sotme ai nuk ka qenë emër shumë popullor në Rusi, sepse atje tani ekziston një tjetër lloj i udhëheqësisë.

Mikhail Gorbachev - njeriu me perandori të shkatërruar
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:47 0:00

Radio Evropa e Lirë: Një pyetje për luftën në Ukrainë. Si e shihni ofensivën e ushtrisë ukrainase?

Francis Fukuyama: Mendoj se drejtimi strategjik që Komanda e Lartë ukrainase e ka bërë, është e shkëlqyeshme. Është shumë e rëndësishme të çlirohet gjiri i Detit të Zi, sepse Ukraina varet tërësisht nga këto porte për eksportim të grurit dhe mbajtjes gjallë të ekonomisë. Mendoj se forcat ukrainase i kanë përdorur shumë mirë raketat dhe artilerinë që ua kanë dërguar Shtetet e Bashkuara, për të dëmtuar sistemin logjistik të Rusisë. Ka mundësi që ta çlirojnë gjithë rajonin rreth Detit të Zi deri në fund të vitit. Shpresoj shumë të jetë kështu. Mendoj se morali është më i lartë në anën ukrainase, sesa në atë ruse.

Pushtimi rus i Ukrainës

REL ju sjell informacionet kryesore mbi pushtimin rus të Ukrainës, përfshirë analiza, video dhe fotogaleri.

Radio Evropa e Lirë: Para nisjes së luftës, inteligjenca perëndimore ka besuar që Ukraina nuk mund t’iu bëjë ballë luftimeve për shumë ditë, ndërsa lufta tani ka mbushur gjashtë muaj. Tani liderët perëndimorë besojnë se Ukraina duhet të fitojë. Si mund të fitojë Ukraina?

Francis Fukuyama: Objektivi më i rëndësishëm është që të dëbohet ushtria ruse nga territori që e ka pushtuar në Ukrainë pas 24 shkurtit. Ky duhet të jetë objektivi më i afërt. Kur të ndodhë diçka e tillë, atëherë mendoj se mund të nisin negociatat me Rusinë, sepse Rusia atëherë do të ketë dështuar në objektivat fillestarë dhe ushtria e saj mund të jetë aq e dëmtuar, saqë autoritetet të jenë të gatshme të diskutojnë për një marrëveshje për paqe afatgjatë. Çdo skenar që parasheh më pak e shoh si të gabuar, sepse rusët do të kthehen dikur sërish, në momentin kur rikthejnë kapacitetet ushtarake, kur të stabilizohet ekonomia e tyre, dhe diçka e tillë nuk sjell paqe. Prandaj, kthimi në situatën para nisjes së luftës është minimumi që duhet kërkuar.

Radio Evropa e Lirë: Sa u përket bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë, sipas jush, a ka bazë për të negociuar paqen tani?

Francis Fukuyama: Në të ardhme të afërt jo, sepse rusët nuk kanë interes për diçka të tillë. Ata e kanë thënë shumë qartë se objektivi i tyre është shumë më i madh sesa ngrirja e status quo-s. Asnjë politikan në Ukrainë nuk mund të sugjerojë që status quo-ja të jetë e pranueshme për popullin ukrainas. Dhe, as nuk duhet të jetë nëse vetëm e bllokon situatën aktuale, sepse një gjë e tillë u mundëson rusëve të forcohen dhe të nisin ofensivën sërish. Prandaj, mendoj që nuk ka mundësi negociatash të tilla tani.

Radio Evropa e Lirë: Perëndimi është duke dërguar armë në Ukrainë. A mendoni se ky shtet është duke pranuar mjaftueshëm armë për ta fituar luftën, dhe çfarë konsideroni fitore në Ukrainë?

Francis Fukuyama: Asnjë ushtri në botë nuk mendon se ka mjaftueshëm pajisje. Unë do të parapëlqeja nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë e dërgojnë raketa Mars dhe pajisje tjera që Ukrainës i mungojnë. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kanë qenë të kujdesshme sa i përket përshkallëzimit, sepse ekzistojnë rrugë që ky konflikt të dalë duarsh. Prandaj, nuk e pëlqej idenë e zonës së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, sepse do të rrezikohej përballja direkte mes NATO-s dhe Rusisë. Kjo është diçka që na duhet ta shmangim. Megjithatë, SHBA-ja dhe shtetet e NATO-s duhet ta furnizojnë Ukrainën me armë të nevojshme për t'i larguar rusët nga territoret që kanë pushtuar pas 24 shkurtit.

Radio Evropa e Lirë: Në një intervistë tjetër keni thënë se Ukraina është në krye të përpjekjeve globale për demokracinë e së ardhmes. Sipas jush, ndër gjërat më të rëndësishme është që presidenti rus, Vladimir Putin, të mposhtet ushtarakisht në Ukrainë. Ju mendoni se ukrainasit mund të bëjnë diçka të tillë. Pse për ju është kaq me rëndësi që të mposhtet Putini?

Francis Fukuyama: Putini, bashkë me liderin kinez, Xi Jinping, janë pajtuar që modelet e tyre autoritare janë superiore ndaj modelit demokratik perëndimor, sepse ata mund t'i kryejnë gjërat shpejt dhe me vendosmëri. Mendoj se është e rëndësishme të vërtetojmë se diçka e tillë nuk është në rregull, dhe se ai ka bërë një prej gabimeve më të mëdha strategjike në histori kur ka vendosur ta pushtojë Ukrainën. Putini është, po ashtu, në qendër të rrjetit të forcave anti-demokratike. Ai mbështet regjimet në Iran, Siri, Venezuelë dhe shumë vende tjera të botës që nuk shquhen për demokraci.

Këto përpjekje globale duhet të na prekin të gjithëve. Putini, madje, pati arritur edhe në Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë mbështetje ish-presidentit amerikan, Donald Trump, dhe forcave populiste që janë me Trumpin. Prandaj, Putini është kërcënim për secilën demokraci në botë.

Radio Evropa e Lirë: Disa pyetje për Rusinë e Putinit. Keni thënë së fundi se Rusia ua kujton Gjermaninë Naziste dhe që Putini kontrollon gjithçka. A ka mundësi që brenda Rusisë të ketë ndryshim regjimi?

Francis Fukuyama: Kjo është diçka për të cilën shumë njerëz dëshirojnë të spekulojnë, mirëpo askush prej nesh nuk e di nëse është e mundshme. Duket se ka shumë njerëz në shërbimet e sigurisë dhe ushtrinë e Rusisë që e pranojnë se Putini ka bërë gabim të madh dhe nuk i bën të lumtur ky fakt. Mirëpo, edhe entuziazmi nacionalist është shumë i madh tani për tani. Nuk besoj që dikush prej nesh mund të parashikojë diçka. Megjithatë, në periudhë afatgjatë, kjo gjë nuk është në të mirë të Putinit, sepse ai nuk po arrin të realizojë qëllimet bazike strategjike. Prandaj, vetëm mund të shpresojmë që kjo situatë mund të rezultojë me ndryshime në Kremlin.

Radio Evropa e Lirë: Nëse imagjinojmë që Putini nuk është më president, a mendoni që Rusia do ta ndalë agresionin në Ukrainë, sepse në disa anketa, shumica e rusëve kanë thënë se mbështesin luftën kundër Ukrainës dhe mbështesin Putinin?

Reagimi i rusëve kur atyre iu shfaqën fotografi nga Ukraina
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:32 0:00

Francis Fukuyama: Mendoj se këtu kemi një problem, sepse Putini ka kultivuar një formë ekstreme të nacionalizmit në Rusi. Edhe kur të mos jetë më, kjo atmosferë nuk do të zhduket. Nuk jam i sigurt nëse mund të presim ndryshim radikal në udhëheqësinë e ardhshme pas Putinit. Megjithatë, nuk mendoj se me domosdo ata do të vazhdojnë të investojnë në atë që ka rezultuar të jetë dështim i madh.

Shpresoj se do të mund të arrihet një armëpushim për kohë të gjatë, kur rusët të dëbohen nga pjesët e Ukrainës që kanë pushtuar këtë vit.

Radio Evropa e Lirë: Ju, po ashtu, keni thënë se Putin jeton në kohën e fillimit të shekullit XX, kur shërbimet speciale qëndronin mbrapa shumë proceseve. Të imagjinojmë se si e sheh ai botën, me armiq në secilin vend. Çfarë vendime mund të marrë ai në të ardhmen e afërt?

Francis Fukuyama: Putini ka pikëpamje që janë shumë karakteristike për dikë që ka dalë nga shërbimi sovjetik i inteligjencës (KGB). Ai nuk beson se publiku demokratik ka aftësi të ketë ndikim në histori, dhe beson se gjithçka manipulohet nga elitat në shërbimet e inteligjencës. Prandaj ka bërë gabim të madh me këtë luftë, sepse ai nuk ka besuar që Ukraina është shtet prej së vërteti.

Ai nuk ka menduar që për ukrainasit është i nevojshëm sovraniteti, apo se e duan shoqërinë e lirë, për dallim nga situata në Rusi. Prandaj ka hyrë në telashe të mëdha, sepse nuk e ka besuar që njerëzit mund të çohen në këmbë sikurse më 2013/14 në Revolucionin e Dinjitetit. Për aq kohë sa të ketë këtë mungesë të vetëdijes, ai do të vazhdojë të bëjë gabime të llojit që po bën.

Radio Evropa e Lirë: Ka aq shumë pyetje për të ardhmen. Si i shihni Rusinë dhe Ukrainë në të ardhmen? Të themi, pas 5 apo 10 vjetësh, si do të duken këto shtete dhe marrëdhëniet mes tyre?

Francis Fukuyama: E gjitha që mund të them bazohet në shpresa, sepse nuk mund të bëjë parashikime. Shpresoj se në 10 apo 15 vjet, Ukraina do të jetë e pavarur, demokratike dhe shtet i vërtetë, me sovranitet territorial. Shpresoj që kjo luftë të ketë ndikim në Rusi, dhe që humbja të shihet si poshtërim i madh kombëtar, i llojit që nuk duhet përsëritur asnjëherë në të ardhmen dhe që rusët të kuptojnë realitetin pas vitit 1991, prej kur demokracia është zgjeruar në shumë territore që dikur janë kontrolluar nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG