Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, nuk do të mund të mbahet i bllokuar nga askush, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Këto komente, presidenti Thaçi i ka bërë gjatë një debati të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) me temë: “Qëndrimi i komunitetit serb rreth ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.
“Forcat e Armatosura të Kosovës nuk paraqesin kurrfarë kërcënimi për askënd. Qëllimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës sot, dhe i Forcave të Armatosura nesër, mbetet i njëjtë, pra fuqizimi i paqes e stabilitetit në rajon dhe ruajtja e sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit”, ka deklaruar Thaçi.
Sipas tij, procesi i transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura po shkon kah fundi.
Ai megjithatë ka pranuar se jo vetëm debatet, por edhe pikëpamjet mbeten ende të ndryshme rreth këtij transformimi.
“Fokusi i debateve është se a duhet të përmbyllet ky proces me anë të ndryshimeve ligjore apo kushtetuese. Disa shtete të NATO-s, për shkak të rrethanave politike, thonë se duhet të përmbyllet vetëm me ndryshime kushtetuese”, ka thënë Thaçi.
“Por, të jemi të qartë, askush nuk mund ta bllokoj dhe as vë veto”, nënvizoi ai.
Qëndrimi i NATO-s dhe shteteve perëndimore që ndihmuan Kosovën në procesin e shpalljes së pavarësisë, ishte se institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë edhe votat e përfaqësuesve të komuniteteve pakicë, përkatësisht të serbëve, për ndryshimet e nevojshme kushtetuese, para se FSK-ja të transformohet në një ushtri të ardhshme të Kosovës.
Por, institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të marrin mbështetjen e përfaqësuesve serbë, të cilët janë deklaruar në disa raste se nuk do ta mbështesin formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Si opsion rezervë, vet presidenti Thaçi dhe përbërja e kaluar e Kuvendit tentuan që këtë transformim ta bëjnë përmes ndryshimeve ligjore, por një nismë e tillë nuk ishte mbështteur nga faktori ndërkombëtar, në veçanti nga NATO.
Verolub Petroniq, drejtor ekzekutiv i HumaniCentar dhe hulumtues i sferës së sigurisë nga Mitrovica e Veriut ka folur për neverinë që kanë serbët e Kosovës ndaj Forcave të Armatosura të Kosovës. Sipas tij, Forca e Sigurisë ishte pasardhëse e Trupave të Armatosura të Kosovës, që ishin strukturë e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Andaj, edhe Forcat e Sigurisë, do të mund të shiheshin si pasardhëse të këtyre strukturave.
“Kjo krijon frikë te serbët”, ka theksuar Petroniq. Themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, nënvizoi ai, do të varet nga dialogu që Prishtina zhvillon me Beogradin në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Vendimmarrja në lidhje me ushtrinë në marrëveshje me Beogradin, është kundërshtuar nga presidenti Thaçi. Ai tha se interesimi i Beogradit për komunitetin pakicë serb në Kosovë, nuk nënkupton përzierjen e Serbisë në punët e brendshme dhe vendimmarrjen në Kosovë.
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës. Kjo Forcë, është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, por misioni dhe kapacitetet e saj, nuk përkojnë me ambicien e institucioneve, që Kosova ta ketë ushtrinë e saj.
Për më gjatë se tre vjet, FSK-ja përmbushi kapacitetet operacionale dhe autoritetet në vend nisën procesin e rishikimit të sektorit të sigurisë duke kërkuar më shumë kompetenca për këtë strukturë që do të çonte drejt krijimit të ushtrisë.
Kjo megjithatë duhej të bëhej me ndryshimet kushtetuese që kërkojnë dy të tretat e deputetëve përfshirë dhe dy të tretat e deputetëve të pakicave. Por, kundërshtimi i deputetëve serbë të mbështetur nga Beogradi zyrtar ka penguar procesin e ndryshimeve kushtetuese