Në Domna – fshati i varfër rreth 35 kilometra në jugperëndim të Çitës, në jug të Siberisë – nuk ka shumë perspektivë, përveç ushtrisë.
“Për ne, shërbimi ushtarak është mënyra kryesore për ta siguruar jetesën”, tha Aleksei, një banor lokal. “Tani ata po rekrutojnë vullnetarë të rinj. Pothuajse të gjithë tashmë kanë shkuar në luftë”.
Popullsia e Domnës prej rreth 6.000 banorësh sa ishte para fillimit të luftës në Ukrainë, është varfëruar ndjeshëm që nga shkurti i vitit të kaluar, kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës. Shumë të rinj kanë dalë vullnetarë ose janë mobilizuar në ushtri, ndërsa të tjerë janë zhdukur që kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shpalli mobilizimin në shtator të vitit të kaluar.
Ekziston një legjendë e lashtë se Domna u themelua në vendin ku një vajzë kishte qarë për një luftëtar të vrarë. Vendasit thonë se qyteti ka vazhduar të qajë qysh atëherë.
“Shumë djem u mobilizuan”, tha Aleksei, emri i të cilit është ndryshuar për t’ia ruajtur identitetin. “Ata u morën me autobusë. Vëllain tim e morën… Ai është i ri, vetëm 20 vjeç... Dhe këtu sollën ushtarë të mobilizuar nga rajone të tjera. Ata u trajnuan këtu dhe më pas u dërguan në luftë”.
Në Domna ndodhet një fushë ajrore e madhe ushtarake që është baza e regjimentit të 120-të të aviacionit luftarak të Gardës dhe një qendër shërbimi për avionët e transportit ushtarak rusë.
“Paratë ndihmojnë”
“Është pothuajse e pamundur të shkosh atje natën”, tha një taksist lokal.
“Vendasit janë aq të poshtër saqë thjesht do t'ju godasin në kokë. Nuk ka punë normale atje. Gjithçka sillet rreth hekurudhës ose njësive ushtarake. E vetmja mënyrë për të gjetur punë është përmes ryshfetit... Sapo filloi lufta, pothuajse të gjithë banorët lokalë u dërguan në Ukrainë”.
Një tjetër shofer taksie, Sergei Anufriyev, tha se, së fundi, ai ka kaluar shpesh në rrugën nga Çita në Domna, për t’i dërguar në shtëpi ushtarët që marrin leje për t’u kthyer nga Ukraina.
“Kur i vozitni ata, ju dëgjoni histori që t’i ngrenë flokët përpjetë”, tha ai. “Ata thonë se shumë nga djemtë tanë po vdesin atje. Janë kthyer edhe shumë djem të plagosur. Dhe ata janë gjithashtu djem të rinj, por ju nuk mund të shihni aspak jetë në sytë e tyre”.
Aleksandr Ryabchenko, 22 vjeç, u mobilizua në fund të shtatorit të vitit 2022 dhe u kthye në Domna për një pushim të shkurtër. Para mobilizimit, ai punonte në bazën ajrore.
“Ne ngarkonim predha artilerie”, tha ai. “Ishte punë normale dhe isha i kënaqur. Merrja 25.000 rubla (248 euro) në muaj dhe më mjaftonin për bukë dhe cigare. Por më pas erdhën dhe më thirrën”, tha ai.
“Dhe a do të duhej të ikja kur atdheu im ishte në rrezik?”, pyet ai. “Jo. Unë jam patriot. Unë shkova ta mbroj. Sigurisht që edhe paratë ndihmojnë”.
Ryabchenko e gjeti veten në Ukrainë në nëntor të vitit 2022, bashkë me më shumë se 800 ushtarë nga rajoni Zabaikalye në jug të Siberisë. Ai e kujton ende mbërritjen e tij në zonën e luftimit.
“Ata na premtuan se do të stërviteshim në Rostov”, tha ai, duke iu referuar një rajoni jugor rus në kufi me Ukrainën.
“Por, kjo nuk ndodhi. Ne udhëtuam në Rostov me aeroplanë. Ata, madje, na lanë të pinim duhan në aeroplan. Kjo pasi që gjysma prej nesh nuk do të ktheheshin të gjallë. Oficerët folën hapur për këtë para nesh. Ne i dëgjonim dhe pinim cigaret tona. Ishte e tmerrshme”.
Ushtarët e rinj, tha ai, u transferuan drejtpërdrejt nga avioni në autobusë dhe u dërguan në Ukrainë.
“Ne u bombarduam për herë të parë sapo mbërritëm”, kujton ai. “Dhe tetë burra u vranë në vend. Unë rashë në tokë dhe, vetëm gjysmë i gjallë, mendova: Këtu do të vdes”.
“Duhesh të hash”
“Unë jam bashkuar me grupin mercenar Wagner në vitin 2016”, tha 48-vjeçari Igor, “sepse në Domna nuk kishte punë normale dhe të duhet të hash. Unë nuk mund të shkoja të punoja në një minierë, sepse kisha qenë i dënuar me burgim”.
Igori qëndronte para shkollës lokale, ku ndodhet një memorial për të vrarët në Luftën e Dytë Botërore. Tetorin e kaluar, një pllakë e zezë iu bashkua monumentit kushtuar të vrarëve “në operacionin special ushtarak për çlirimin e Donbasit”, ashtu siç kërkon Kremlini të përshkruhet pushtimi i Ukrainës. Një klasë brenda shkollës është emëruar sipas një vendasi që u vra në luftë.
Shumë vendas kanë dosje penale, tha një grua.
“Çdo i dyti person këtu është dërguar në stacionin policor”, tha ajo. “Shumë prej tyre kanë mbajtur burg për vjedhje. Duhet të jetosh disi. Të gjithë njerëzit normalë ikin në Çitë dhe nuk kthehen më”.
Igor është një mbështetës entuziast i luftës dhe përsërit narrativat e qeverisë se Rusia “po e shpëton botën nga ndikimi amerikan dhe perëndimor”.
“Mbi çfarë është ndërtuar vendi ynë?”, tha ai. “[Mbi vlerat e] familjes dhe zhvillimit të saj. Shikoni se çfarë po ndodh jashtë vendit: të gjithë janë homoseksualë. Por, ne kemi familje tradicionale: një baba, një nënë, fëmijët”.
“Mora lejen për t’u kthyer dhe shoh djem të rinj që enden nëpër Domnë”, vazhdoi ai. “Unë iu them ‘çfarë po bëni këtu, ju duhet të mbroni atdheun’”.
Igor shtoi se së shpejti do të kthehej në Ukrainë.
“Ne varrosim shumë njerëz këtu”
Në fillim të këtij viti, pothuajse i gjithë fshati mori pjesë në funeralin e luftëtarit të grupit Wagner, Aleksei Lukyanov, i cili u vra pranë qytetit në lindje të Ukrainës, Bahmut, ku janë zhvilluar disa prej luftimeve më të rënda. Familjes së tij nuk iu treguan asnjëherë detajet e vdekjes së tij.
“Aty kishte shumë njerëz”, tha Kristina, një mikeshë e familjes. “Nuk pati ndonjë simbol specifik të luftës. Ne përpiqemi t'i varrosim djemtë pa flamuj. Kështu janë gjërat. Dikush mund ta përdhosë varrin. Në fund të fundit, jo të gjithë e mbështesin luftën. Dhe ne varrosim shumë njerëz këtu”.
Askush nuk e di pse Lukyanov u bë pjesë e Wagnerit, shtoi ajo.
“Ndoshta patriotizëm, ndoshta për ta fituar bukën e gojës”, tha ajo. "Njerëzit mendojnë se është më mirë të vdesësh atje si një hero sesa të vdesësh këtu nga droga, si gjysma e qytetit. Të gjithë miqtë e tij vdiqën nga mbidoza ose diçka tjetër e lidhur me drogën”.
Një muaj pas funeralit të Lukyanovit, në Domna u varros një mik i tij, i cili e kishet nofkën ushtarake, Krugly.
“Ai e vrau veten”, tha Aleksandr, një nga shokët e shkollës së Kruglyt. “Dhe para kësaj, në tetor, një tjetër djalë nga kompania e tij e vari veten. Nuk do të hyj në detaje, por fajin e kishte droga”.
Aleksandr tha se tetë burra nga klasa e tij e shkollës kishin vdekur nga shkaqe të lidhura me drogën që nga fillimi i luftës, përveç atyre që u vranë në Ukrainë.
“Njëri pas tjetrit, ata po largohen”, tha ai.