Ndërlidhjet

BE-ja dërgon roje kufitare në Finlandë


Një pikë kufitare mes Finlandës dhe Rusisë. 15 nëntor 2023.
Një pikë kufitare mes Finlandës dhe Rusisë. 15 nëntor 2023.

Agjencia e Bashkimit Evropian për mbrojtje kufitare, Frontex, tha më 23 nëntor se do të dislokojë 50 oficerë në Finlandë, shtet që ka shënuar rritje të emigrantëve në kufirin lindor me Rusinë.

Përveç rojeve kufitare dhe stafit tjetër, Frontex po ashtu tha se do të dërgojë pajisje, sikurse makinat patrulluese “për të rritur kontrollin e aktiviteteve në kufirin e Finlandës”.

Përforcimet pritet të dërgohen në Filalandë “javën e ardhshme”, u tha në njoftim.

Të mërkurën, Finlanda tha se do të mbyllë të gjitha pikëkalimet kufitare në veri me Rusinë, përveç kufirit më verior, pasi regjistroi një rritje të emigrantëve ilegalë.

Helsinki tha se Moska ka faj, me kryeministrin finlandez, Petteri Orpo, që akuzoi autoritetet ruse për lehtësim “sistematik dhe të organizuar” të kalimeve ilegale të kufirit.

Kreu i Frontex-it, Hans Leijtens, nuk përmendi me emër Rusinë, por në deklaratë tha se agjencia po forcon mbështetjen për Finlandë, e cila po përballet “me sfida hibride”.

“Ky bashkëpunim tregon se kur përballemi me sfida të ndërlikuara në kufi, Evropa qëndron e bashkuar dhe ofron ndihmë”, tha ai.

Ftontex aktualisht ka 10 zyrtarë që punojnë në kufijtë e Finlandës.

Finlanda ka një kufi prej 1.300 kilometrash me Rusinë. Raportet e Helsinkit me Moskën janë përkeqësuar që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës vitin e kaluar, gjë që shtyri Finlandën të anëtarësohej në prill në aleancën e NATO-s.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG