Ndërlidhjet

Pse e ka ndaluar Franca shitjen e iPhone 12-shit?


Modeli iPhone 12 i kompanisë Apple.
Modeli iPhone 12 i kompanisë Apple.

Reuters

Vëzhguesi për Rrezatime në Francë e ka ndaluar shitjen e modelit iPhone 12 të kompanisë Apple, pasi testet kanë treguar se ky telefon i mençur i ka tejkaluar limitet evropiane për ekspozim ndaj rrezatimit.

Agjencia franceze ka thënë se shkalla specifike e përthithjes – që e përcakton energjinë e radiofrekuencës që absorbohet nga trupi nga ndonjë pajisje – ka qenë më e lartë sesa që e lejon ligji.

Jean-Noel Barrot, ministër francez për Ekonomi Digjitale, i ka thënë gazetës Le Parisien se një përditësim i softuerit do të mund ta rregullonte këtë problem.

Nëse problemi nuk zgjidhet, autoriteti francez ka thënë se do të bëjë thirrje për largim të tyre prej tregut.

Mirëpo, Apple ka bërë të ditur të premten se përditësimi i ri do të bëhet vetëm në Francë, ku, sipas saj, ekziston një protokoll specifik për testim.

Gjiganti teknologjik ka thënë se iPhone 12 është i certifikuar nga shumë mekanizma ndërkombëtarë se është në përputhje me standardet globale të rrezatimit.

Çfarë është “norma standarde e përthithjes?

Norma standarde e përthithjes u referohet sasisë së energjisë që trupi e absorbon nga çdo formë e rrezatimit.

Përcaktohet në vatë, në bazë të peshës trupore të një njeriu.

Rrezatimi nga telefonat mobilë është rezultat i mënyrës sesi punojnë pajisjet , sepse përmes transmetimit të valëve, krijohen fusha elektromagnetike.

Për dallim prej rrezatimeve me rreze X apo gama – të shkaktuara nga ndonjë prishje radioaktive – telefonat nuk mund të kenë reagim kimik apo t’iu shkaktojnë ndryshimeve qelizave në trupin e njeriut, një proces që mund të çojë në dëmtime sikurse kanceri.

Sa i rrezikshëm është?

Problemi kryesor i shkaktuar nga rrezatimi “jo-jonizues” është ngrohja e indeve trupore.

Sipas Komisionit Ndërkombëtar për Mbrojtje nga Rrezatimi Jo-jonizues – trup që jep udhëzime për kufizimet mbi rrezatimin në nivel global – aplikimi i rrezatimit përtej normave dhe kohëzgjatja e ekspozimit mund të shkaktojë djegie apo goditje të nxehtësisë.

Agjencia franceze për këtë fushë ka thënë se në laboratorët e akredituar është gjetur se “norma standarde e përthithjes” në testimet e telefonit iPhone 12 ka qenë 5.74 vatë për kilogramë, kur telefoni është mbajtur në duar, apo në xhepin e pantallonave.

Standardi i BE-së është 4.0 vatë për kilogramë.

Megjithatë, sipas profesorit Rodney Croft, edhe shifra e gjetur nga autoritetet franceze nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut.

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe organizata tjera ndërkombëtare, kanë thënë se nuk ekzistojnë të dhëna definitive se rrezatimi nga telefonat mobilë dëmton shëndetin.

Megjithatë, ato kanë bërë thirrje për më shumë hulumtim.

Më 2011, Agjencia Ndërkombëtare për Hulumtime në Kancer, e ka klasifikuar rrezatimin nga telefonat mobilë si “potencialisht kancerogjen”.

Një vlerësim i tillë bëhet kur agjencia nuk mund ta përjashtojë ndonjë lidhje të mundshme me efekte të dëmshme.

Agjencia ka thënë se ekzistojnë të dhëna “të kufizuara” për rritje të rrezikut për tumore në kokë, te disa, por jo tek të gjithë – sidomos te përdoruesit e shpeshtë – ndonëse nuk ka munduar ta përjashtojë krejtësisht mundësinë e gabimeve në të dhëna.

Thënë shkurt, s’ka qëndrim përfundimtar në këtë temë.

Si është përgjigjur Apple?

Fillimisht, gjiganti teknologjik ka thënë se do ta kontestojë vendimin e autoriteteve franceze.

Mirëpo, më 15 shtator është pajtuar për t’ia bërë një përditësim këtij modeli të telefonit vetëm në Francë.

Sipas kompanisë, gjetjet e rrezatimit në këtë shtet, janë rezultat i regjimit të testimit, por që prapëseprapë nuk përbëjnë “shqetësim për sigurinë”.

iPhone 12 është lëshuar për shitje në shtator të vitit 2020 dhe ende shitet në gjithë botën.

A do të mund të ketë ndalesa të tilla më?

Agjencia franceze ka thënë se iPhone 12 ka dështuar t’i ketë standardet e Bashkimit Evropian, duke i rritur shqetësimet rreth asaj nëse do t’i dalin më shumë pengesa në të ardhmen.

Ndonëse mbetet e paqartë nëse edhe autoritetet tjera janë duke kryer hetime.

Zyra Federale e Gjermanisë për Mbrojtje të Rrezatimit, ka thënë të enjten se “pyetjet për nevojën për ndryshime janë aktualisht subjekt i diskutimeve”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG