Autoritetet franceze i kanë rritur masat e sigurisë në Paris, në prag të ndeshjes së futbollit mes kombëtares së Francës dhe asaj të Izraelit të enjten, me shpresën se do t’i shmangin përleshjet e dhunshme mes tifozëve vendës dhe atyre izraelitë që ndodhën javën e kaluar në Amsterdam.
Ndeshja e Ligës së Kombeve në stadiumin Stade de France, do të zhvillohet në një kohë të brishtë, pasi marrëdhëniet diplomatike mes presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe liderit izraelit, Benjamin Netanyahu, janë të tensionuara si pasojë e luftës në Gazë.
Rreth 4.000 oficerë të policisë do të vendosen në dhe përreth stadiumit, si dhe në vendet e transportit publik, tha policia në Paris.
“Kjo është masë e jashtëzakonshme, mobilizim tri apo katër herë më i madh se zakonisht”, tha shefi i policisë së Parisit, Laurent Nunez, për radion RTL, të mërkurën.
Vetëm flamujt francezë dhe ata izraelitë do të lejohen brenda stadiumit, shtoi ai.
Macron do të marrë pjesë në ndeshje në shenjë solidariteti, ndërsa ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, tha pas përleshjeve në Amsterdam se ndeshja do të zhvillohet sipas planit dhe se për këtë nuk ka pasur asnjëherë dyshime.
Megjithatë, vetëm 20.000 tifozë pritet të jenë në stadiumin me kapacitet 80.000 ulëse në veri të Parisit.
Grupi i tifozëve francezë, Les Irreductibles Français, kreu një sondazh midis anëtarëve të tij, i cili tregoi se 15% do ta bojkotojnë ndeshjen për shkak të luftës Izrael-Gazë, ndërsa rreth 30% cituan "rreziqet e sigurisë" si arsye.
Emocionet për veprimet e Izraelit në Gazë janë të forta në Francë, e cila është shtëpia e komuniteteve më të mëdha hebraike dhe myslimane në Evropë. Raportimet për akte antisemitike janë rritur me një "përqindje të paprecedentë" prej 284% në vitin 2023, tha në qershor Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Francë, ndërsa aktet antimyslimane janë rritur për rreth një të tretën.
Tifozët izraelitë të futbollit dhe vendësit u përleshën javën e kaluar në Amsterdam, duke bërë që të paktën pesë izraelitë të lëndohen pas ndeshjes së Maccabi Tel Avivit kundër Ajaxit në Ligën e Evropës.