Franca dhe Mbretëria e Bashkuar do ta mbështesin Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus “sa të ketë nevojë”, ka thënë Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron të martën, duke shtuar se është “thelbësore” që të mposhtet presidenti rus, Vladimir Putin.
Komentet e tij kanë ardhur teksa rriten shqetësimet në Kiev që durimi dhe uniteti perëndimor mund të përçahen në luftën kundër Rusisë, gati dy vjet pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Britania dhe Franca kanë qenë mbështetëse të mëdha të Ukrainës, dhe do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje sa të ketë nevojë”, ka thënë Cameroni, pas bisedimeve që ka zhvilluar në Paris me homologen franceze, Catherine Colonna.
“Nuk kam dyshim që mund ta bëjmë Putinin të humbë, dhe është thelbësore që ai të humbë. Do të jemi të vendosur në mbështetjen që ia ofrojmë Ukrainës”, ka thënë ai.
Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar të hënën se Shtetet e Bashkuara e kanë të autorizuar vetëm edhe një pako ndihmë për Ukrainën këtë vit, pasi republikanët e linjës së ashpër në Kongres, janë kundër ofrimit të ndihmës shtesë.
Duke insistuar që Perëndimi duhet të vazhdojë me ritmin aktual, Cameron e ka krahasuar luftën kundër pushtimit rus si dramë në disa pjesë.
“Pjesa e parë ka qenë për dështimin e madh të Rusisë për t’i arritur objektivat e veta”, në ditët e para të luftës, ka thënë Cameron.
“Pjesa e dytë ka qenë për mënyrën brilante të ukrainasve për t’i zmbrapsur rusët… dhe natyrisht, pjesa e fundit ka qenë më e vështirë në terren”, ka thënë ai, duke iu referuar dështimit të ushtrisë ukrainase që të shënojë përparim të madh në kundërofensivën e verës.
Sipas tij, pjesa e katërt ende nuk është shkruar dhe “duhet të sigurohemi që të shkruhet në mënyrën e duhur”.
Si Cameroni, ashtu edhe Colonna, kanë theksuar se Britania dhe Franca janë në linjë të njëjtë për çështjet e mëdha ndërkombëtare, përfshirë Ukrainën dhe Lindjen e Mesme, edhe pas Brexitit – largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.