Ndërlidhjet

Ministrat e G20-s me fond miliardësh për pandeminë


Një person me maskë me flamurin amerikan. SHBA-ja është kontribuesja më e madhe e fondit të pandemisë të iniciuar nga shtetet e G20-s.
Një person me maskë me flamurin amerikan. SHBA-ja është kontribuesja më e madhe e fondit të pandemisë të iniciuar nga shtetet e G20-s.

Ministrat e Shëndetësisë dhe Financave të G20-s kanë iniciuar një fond prej 1.4 miliard dollarësh për t’u përballur me pandeminë e ardhshme globale, para se liderët e këtij grupi të mblidhen në samitin në Bali të Indonezisë. Megjithatë, presidenti i Indonezisë tha se ky fond nuk është i mjaftueshëm.

Fondi i krijuar nga 24 shtete po shihet si një prej rezultateve të hershme të samitit ku pritet të arrihet progres në samitin e javës së ardhshme për krizën në Ukrainë. Në samitin në Bali nuk do të marrë pjesë presidenti rus, Vladimir Putin.

Gjatë konferencës për media të dielën u iniciua ky fond nga presidenti i Indonezisë, Joko Widodo. Në këtë konferencë të pranishëm ishin edhe shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Adhanom Ghebreyesus, dhe presidenti i Bankës Botërore, David Malpass.

“G20 pajtohet të krijojë një fond për pandeminë për të parandaluar dhe për t’u përgatitur për pandeminë. Donatorët e G20-s dhe shtetet joanëtare të këtij grupi, por edhe organizatat filantropike kanë kontribuar në këtë fond. Por, ky fond nuk është i mjaftueshëm”, tha Widodo.

Ai tha se kërkohen 31 miliardë dollarë për t’u përballur me pandeminë e ardhshme globale.

“Ne duhet të sigurojmë komunitetet në pandemi. Pandemia më nuk duhet të marrë jetë njerëzish dhe të shkatërrojë ekonominë globale”, tha presidenti i Indonezisë.

Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar me 450 milionë dollarë në këtë fond, apo pothuajse një të tretën e totalit të shumës.

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, tha se ky fond i përbashkët është shembull se çfarë mund të bëjë G20-ta për t’u përballur me problemet globale.

“Jam krenare me atë që kemi arritur. Mendoj se hapat që kemi ndërmarrë këtë vit do të ndihmojnë në krijimin e një vizioni më të shëndetshëm dhe më të mirë për t’iu përgjigjur arkitekturës globale shëndetësore”, tha ajo.

Indonezia në një fazë ishte epiqendra e pandemisë COVID-19, kur vala e variantit Delta goditi këtë shtet në mesin e vitit 2021.

Donatorët kryesorë të fondit janë SHBA-ja, Britania, India, Kina, Franca, Kanadaja, Australia dhe Japonia.

“Ne po takohemi në një kohë të krizave të shumëfishta... ky fond i ri është një mjet i rëndësishëm që do të mbështesë shtetet me të ardhura të mesme, në mënyrë që ato të përgatiten për krizat shëndetësore globale”, tha Malpass, duke u bërë thirrje shteteve që të kontribuojnë në këtë fond.

“Fondi për pandeminë mund ta bëjë botën më të sigurt”, shtoi ai.

Ministri i Financave të Indonezisë, Sri Mulyani Indrawati, tha gjatë konferencës se Arabia Saudite po ashtu pritet të kontribuojë në këtë fond. Megjithatë, ai nuk tregoi se sa para do të japë ky shtet për fondin e pandemisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG