Ndërlidhjet

Firma e Trumpit ka synuar marrëveshje për patundshmëri në Moskë?


Donald Trump
Donald Trump

Michael Cohen, avokat i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në deklaratën dhënë për hetuesit e Kongresit, ka zbuluar se Organizata Trump kishte zhvilluar negociata për ndërtimin e objektit, Trump Tower, në Moskë, derisa zoti Trump kishte zhvilluar fushatë në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2015 dhe në fillim të vitit 2016, kanë raportuar dje mediat amerikane.

Sipas agjencisë Associated Press, gazetës New York Times, rrjetit ABC News, dhe mediave të tjera, që thonë se kanë siguruar kopje të deklaratës dhe emaila, zoti Cohen, që në atë kohë ishte shef i juristëve në Organizatën Trump, në deklaratën e shkruar në dy faqe për Komitetin e Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, tha se marrëveshja kishte arritur në shkallën “letra e qëllimit”, por përfundimisht ishte braktisur “për shkaqe të ndryshme biznesore”.

Projekti i objektit, Trump Tower, në Moskë nuk ishte i “ndërlidhur” me fushatën presidenciale të zotit Trump, e kanë cituar mediat avokatin Cohen, por ai tha se personalisht i kishte treguar Trumpit për propozim “në tri raste” dhe se Trump në tetor të vitit 2015, e kishte nënshkruar letrën e qëllimit, që nuk është dokument obligues, për ndërtimin e një kompleksi të hoteleve.

Zoti Cohen tha, po ashtu, se i ka dërguar email Dmitry Peskovit, zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, duke kërkuar ndihmë për këtë marrëveshje, bazuar në ndërmjetësuesit rus, Felix Sater, i cili ka pretenduar se ka lidhje me Kremlinin, kanë raportuar mediat.

Komiteti i Inteligjencës së Dhomës Përfaqësuese është njëri prej disa paneleve të Kongresit amerikan, që zhvillojnë hetime për ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016 dhe nëse ka pasur koordinim ndërmjet Rusisë dhe fushatës Trump.

Në përgjigje të raporteve për deklaratën e zotit Cohen, Organizata Trump ka konfirmuar se në tetor të vitit 2015 ishte nënshkruar një letër e qëllimit në Moskë, me kompaninë, I.C. Expert Investment Co., për ndërtim të objektit, Trump Tower, në Moskë.

Kompania tha se ishte tërhequr nga marrëveshja e licensuar për shkak se “nuk ishte e avancuar në mënyrë të rëndësishme” dhe se nuk ishte materializuar trolli dhe financat gjatë negociatave. Ajo tha, po ashtu, se Trump kurrë nuk ka paguar kurrfarë shume të të hollave, që do të ishte pjesë e marrëveshjes...

Të jemi të qartë, Organizata Trump, kurrë nuk ka pasur pronë të patundshme ose interesa në Rusi”, tha kompania.

E përditshmja, Washington Post, ka raportuar së pari më 27 gusht për letrën e qëllimit për ndërtim të objektit, Trump Tower.

E përditshmja tjetër, New York Times, dje e para raportoi për ndërmjetësuesitn Sater, për të cilin thotë se duket se ka theksuar në një email, se marrëveshja për patundshmëri do të mund ta ndihmonte zgjedhjen e Trumpit për president.

Djaloshi ynë mund të bëhet president i Shteteve të Bashkuara dhe ne mund ta projektojmë këtë”, është cituar Sater se ka shkruar në një email dërguar zotit Cohen dhe ka shtuar se “unë do t’i sjelli të gjithë në ekipin Putin të hyjnë në këtë dhe unë do ta menaxhoj këtë proces”.

Felix Sater, një imigrant rus, është cituar se ka thënë se ishte i gatshëm për financim të marrëveshjes Trump Tower me VTB Bank, që është një bankë ruse nën sanksione të Shteteve të Bashkuara, për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Zoti Sater është cituar të ketë thënë gjatë një ceremonie në Moskë se “do ta sjell Putinin në këtë program dhe do ne do ta kemi të zgjedhur Donaldin”.

Në deklaratën e tij dyfaqëshe për Komitetin e Inteligjencës së Dhomës Përfaqëuese, mediat raportojnë se Cohen ka pretenduar se i ka shkruar zotit Peskov, pasi Sater ka sugjeruar për ta bërë këtë gjë, meqë “propozimi do të kërkoj miratime brenda Qeverisë së Rusisë, që ende nuk janë dhënë”.

Cohen tha se ai nuk ka kërkuar kurrfarë përgjigje në këtë email, ose për kontaktet e tjera me Peskovin ose me zyrtarët e tjerë qeveritarë, për projektin Trump Tower në Moskë.

Në deklaratën e tij në shtyp, Cohen i ka hedhur poshtë pretendimet për marrjen e mbështetjes së Kremlinit për marrëveshje, duke thënë se Sater “ndonjëherë e ka përdorë një gjuhë shumëngjyrëshe, pasi ishte i prirur për tregti”.

Zoti Cohen tha se propozimi për hotel luksoz, ndërtesë në bashkëpronësi dhe kompleks të zyrave në Moskë, ishte një prej propozimeve “të panumërta” që organizata Trump i kishte marrë për ndërtime në gjithë botën, raportojnë mediat.

Avokati Cohen tha se ai “kishte kryer një punë të kujdesshme” për të përcaktuar nëse marrëveshja ishte e mirë për Organizatën Trump, ndërsa organizata, po ashtu, kishte kërkuar projekte të ndërtesave nga arkitektët dhe kishte mbajtur diskutime preliminare për financim të marrëveshjes, raportojnë mediat.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG