Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, e ka mbrojtur vendimin e vendit të vet për të blerë armë nga Izraeli përkundër luftës në Gazë, duke thënë se vendimi nuk lidhet me mosgatishmërinë e Finlandës për ta njohur një shtet të pavarur palestinez tani për tani.
Finlanda do ta blejë nga Izraeli një sistem mbrojtës raketor, i quajtur David’s Sling. Helsinki e cilëson këtë kundërajror kyç për ta mbrojtur veten, për shkak të sulmeve të vazhdueshme raketore nga fqinji i saj, Rusia, kundër shënjestrave civile dhe ushtarake në Ukrainë.
Stubb, i cili e mori detyrën në mars, e ka përshkruar qëndrimin e ri të politikës së jashtme të Finlandës si “realitet i bazuar në vlera”, i cili, sipas tij, ka të bëjë me “arritjen e gjërave në botë ashtu siç është”, në vend të “promovimit vetëm të një bote siç dua ta shoh unë”.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters të martën, Stubb tha se tani nuk është koha për ta njohur një shtet palestinez, edhe pse fqinjët nordikë, Suedia, Islanda dhe së voni Norvegjia, e kanë bërë një gjë të tillë.
“Në rastin e Izraelit dhe Palestinës, realizmi i bazuar në vlera mbizotëron mbi të menduarit tonë për ta njohur Palestinën, në kuptimin se ne duam ta njohim atë, e jo nëse. Por, kur të ndodhë, duam të ketë ndikim drejt një zgjidhje me dy shtete dhe një zgjidhjeje paqësore”, tha ai.
Muajin e kaluar, Stubb u tha diplomatëve finlandezë se njohja e një shteti palestinez nga Finlanda ishte “çështje kohe” dhe se koha e duhur do të zgjidhej në mënyrë strategjike për të promovuar paqe në Lindjen e Mesme.
Ai nguli këmbë se vendimi nuk ka “asgjë të bëjë” me marrëveshjen për armët me Izraelin.