Ndërlidhjet

FIFA ua heq ndalesën ekipeve kombëtare të të rinjve të Rusisë


Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino (majtas) dhe presidenti rus, Vladimir Putin, janar 2016.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino (majtas) dhe presidenti rus, Vladimir Putin, janar 2016.

Organi qeverisës i futbollit botëror, FIFA, njoftoi të mërkurën se do t’i lejojë ekipet e djemve dhe vajzave të Rusisë nën moshën 17-vjeçare të luajnë në turnetë e futbollit ndërkombëtar.

Javën e kaluar, UEFA – organi qeverisës i futbollit evropian, e mori vendimin e njëjtë për klubet e të rinjve të Rusisë.

“Kjo me kusht që këto ekipe të luajnë nën emrin ‘Unioni i Futbollit i Rusisë’, e jo Rusia, dhe pa flamur kombëtar, pa himn kombëtar, pa fanellën dhe pajisjet e tyre zyrtare, por me ngjyra neutrale”, tha FIFA në një komunikatë.

Ekipeve nga Rusia iu ndalua pjesëmarrja në garat e ekipeve kombëtare në nivel ndërkombëtar, kur Rusia e pushtoi Ukrainën.

Kur Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, UEFA vendosi t’i pezullojë të gjitha ekipet ruse – kombëtare apo klube – nga pjesëmarrja në garat e saj.

Por javën e kaluar, UEFA tha se “fëmijët nuk duhet të ndëshkohen për veprime për të cilat përgjegjësi kanë ekskluzivisht të rriturit”, dhe se ekipet nën moshën 17-vjeçare të Rusisë do të pranohen prapë në garat e saj “gjatë këtij sezoni”.

Federata e Futbollit e Ukrainës i bëri thirrje UEFA-s ta rishqyrtojë vendimin dhe tha se nuk do të luajë në turnet ku marrin pjesë ekipet ruse.

Po ashtu, Anglia, Norvegjia, Suedia dhe Danimarka thanë se ekipet e tyre nuk do të luajnë kundër Rusisë, pavarësisht vendimit të UEFA-s.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG