Ndërlidhjet

Federata serbe gjobitet për shkak të Kosovës


Fotografi e realizuar gjatë ndeshjes midis Serbisë dhe Brazilit.
Fotografi e realizuar gjatë ndeshjes midis Serbisë dhe Brazilit.

Federata serbe e Futbollit është gjobitur me 20.000 franka nga FIFA, për shkak të shfaqjes së një flamuri me një hartë ku Kosova ishte paraqitur si pjesë e Serbisë.

Ky flamur u pa në zhveshtoren e përfaqësueses serbe gjatë ndeshjes midis Brazilit dhe Serbisë, të zhvilluar më 24 nëntor në Katar, në kuadër të Kupës së Botës.

Sipas Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), me shfaqjen e këtij flamuri, ku ishte përfshirë harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimin “S’ka dorëzim”, Serbia ka shkelur dy nene të Kodit Disiplinor të saj.

FIFA kishte nisur procedurë disiplinore për këtë rast, pas një ankese të paraqitur në nëntor nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).

FFK-ja e kishte cilësuar këtë veprim si akt shovinist.

“Akte të tilla shoviniste nuk kanë vend në një ngjarje sportive, e aq më pak brenda objekteve ku zhvillohet ngjarja më e madhe e futbollit botëror, prandaj FFK si anëtare e barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë të FIFA-s, kërkon nga ky institucion që të ndërmarrë masa sanksionuese ndaj veprimeve që nxisin urrejtje mes popujve dhe janë kundër vlerave njerëzore”, thuhej në njoftimin e FFK-së.

FIFA po ashtu ka hapur edhe një procedurë tjetër disiplinore ndaj Serbisë, pas një ankese të re të FFK-së.

Më 5 dhjetor, organi kryesor i futbollit në botë, tha se ka nisur procedura disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, nën dyshimet se kombëtarja serbe ka shkelur disa rregulla gjatë një ndeshjeje me kombëtaren e Zvicrës, në kuadër të Kampionatit Botëror të futbollit.

Autoritetet në Kosovë thanë në ankesën e tyre se gjatë ndeshjes Zvicër-Serbi, të zhvilluar më 2 dhjetor, janë dëgjuar "fyerje të rënda nga trajneri i përfaqësueses së Serbisë" në drejtim të shqiptarëve dhe janë vërejtur "veprime raciste nga tifozët serbë".

Në kombëtaren e Zvicrës luajnë lojtarë me prejardhje shqiptare, përfshirë Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin me prejardhje nga Kosova, dhe Ardon Jasharin me prejardhje nga Maqedonia e Veriut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG