Manifestimi qendror i festës së Kurban Bajramit në Maqedoninë e Veriut u organizua në xhaminë e Mustafa Pashës në Çarshinë e Shkupit.
Shumica e besimtarëve, për të respektuar distancën fizike si masë për parandalimin e koronavirusit, u falën në oborrin e xhamisë.
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Shaqir Fetahu, duke i uruar besimtarët myslimanë, tha se “festa e Kurban Bajramit formon ambientin e paqes dhe tolerancës midis njerëzve, është festë e gëzimit të ndërsjellë, afrimit në mes të njerëzve, kujdesit ndaj të varfërve” dhe “shtrirjes së dorës së pajtimit”.
Për festën e Kurban Bajramit, e cila shënohet sot në të gjithë botën, besmitarët myslimanë therin një kafshë dhe mishin e saj ua ndajnë kryesisht familjeve në nevojë.
Jusuf Zimeri, drejtues i Departamentit për shkencë dhe arsim në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, tha për Radion Evropa e Lirë se pandemia e koronavirusit ka shpërfaqur edhe më shumë nevojën e solidaritetit midis njerëzve.
Ai tha se Bashkësia Fetare Islame, për më shumë se katër dekada, mishin e kurbanit e ndan për nxënësit e medreseve dhe për njerëzit e varfër.
“Unë mendoj se nuk ka investim më të mirë sesa investimi në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të ardhshme, pasi nga medreseja, një pjesë e nxënësve orientohen në më shumë profile të ndryshme dhe jo vetëm në Fakultetin e Shkencave Islame”, tha Zimeri.
Hasan Baftiari, nga Forumi Rinor Islam, tha për Radion Evropa e Lirë se festa e Kurban Bajramit në vete ka dimensionin e ndihmesës, jo vetëm për njerëzit e varfër, por edhe për ata që kanë nevojë për të dalë nga kriza, edhe nëse një gjë të tillë nuk e kërkojnë.
Sipas tij, shumë biznese familjare kanë pësuar dëme të mëdha nga pandemia e koronavirusit.
“Kur jemi te çështja e bizneseve, padyshim se bizneset e vogla apo mikro-bizneset janë dëmtuar gjatë periudhës së pandemisë dhe besimtarët myslimanë, edhe në këtë moment, u treguan se janë solidarë, duke i ndihmuar kolegët e tyre që të menaxhojnë biznese të ndryshme, me qëllim që të ngrihen në aspektin ekonomik”, tha Hasani.
Është kjo hera e katërt që Bajrami festohet në kushte të pandemisë.
Zyrtarët fetarë dhe institucionalë në të gjithë botën kanë bërë thirrje që të respektohen masat kundër koronavirusit, të tilla si mbajtja e distancës fizike dhe larja e duarve.
Facebook Forum