Ndërlidhjet

Rushiti: Çmimi i nderon viktimat e dhunës seksuale


Feride Rushiti
Feride Rushiti

Departamenti amerikan i Shtetit i ka ndarë Feride Rushitit, Çmimin Ndërkombëtar për Grua të Guximshme. Rushiti është drejtore e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës në Kosovë. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo ka treguar se ky çmim përveç që nderon atë personalisht, ka shumë rëndësi edhe për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë. Në këtë intervistë, Rushiti flet edhe për penisionin dhe Ligjin që e njeh këtë grup shoqëror si kategori të dalë nga lufta.

Intervistoi: Mark Najarian

Radio Evropa e Lirë: Fillimisht urime për çmimin. Një çmim i tillë bën që të përhapet zëri juaj ndërkombëtarisht. Çfarë kërkoni ju nga komuniteti ndërkombëtar që t’iu ndihmojë si gra të Kosovës?

Feride Rushiti: Çmimi Gruaja e Guximshme, përveç që më ka nderuar mua, mbi të gjitha mendoj që i ka nderuar dhe respektuar mbi 20,000 gra, viktima të dhunës seksuale në Kosovë dhe i ka bërë ato edhe me të fuqishme që sot të luftojnë dhe të arrijnë t’i mposhtin të gjitha paragjykimet që sot mbizotërojnë në shoqërinë tonë në raport me këtë grup të ndjeshëm shoqëror. Përtej kësaj, ne mendojmë se viktimat e dhunës seksuale ende duhet të përkrahen vazhdimisht në fushën e rehabilitimit, mbi të gjitha në qasjen në drejtësi, pasi asnjëra nga ato deri më sot nuk ka pasur drejtësi mbi të kaluarën e tyre, duhen të fuqizohen ekonomikisht dhe mbi të gjitha duhet të fuqizohen që ato t’i qasen komisionit shtetëror për njohjen e statusit të tyre si viktima të dhunës seksuale.

Radio Evropa e Lirë: Në vendin tuaj a jeni duke marrë ndihmë nga Qeveria, a ka ndonjë problem? E di që Qeveria ka miratuar një financim të ri. Ndoshta mund të flasim për këtë gjë.

Feride Rushiti: Çështja e viktimave të dhunës seksuale pothuajse 15 vjet me radhë është trajtuar vetëm nga organizatat e grave. Kanë qenë organizatat e grave ato sikurse qendra që unë e udhëheq, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, e cila është marrë me rehabilitimin, rimëkëmbjen dhe fuqizimin ekonomik të të mbijetuarve të dhunës seksuale. Fatmirësisht në vitin 2014, Ligji për Vlerat e Luftës, një ligj që i trajton të gjitha kategoritë e dala nga lufta, e njeh edhe viktimën e dhunës seksuale si kategori ligjore dhe me pas dy vite me radhë është dashur fuqishëm që organizatat e grave dhe ekspertë të ndryshëm të punojnë për të ndërtuar një legjislacion sekondar, i cili do ta bënte këtë ligj të zbatueshëm në Kosovë. Puna me Qeverinë nuk ka qenë e lehtë, duke marrë parasysh faktin se për vite të tëra ky krim i luftës ka qëndruar i heshur në shoqëri, mirëpo përmes bashkëpunimit të ngushtë me grupin e grave deputete me udhëheqjen e presidents (Atifete) Jahjaga, ne kemi pasur mundësi që agjendën tonë ta shtyjmë përpara dhe zëri i këtyre grave të dëgjohet. Fatmirësisht në vitin 2017, Qeveria e Kosovës, arriti që për shkak të angazhimit tonë të vazhdueshëm dhe kampanjave të pandaluara në fushën e avokimit të të drejtave të grave, në veçanti grave viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, arritëm që të ndajmë një buxhet të konsideruar në vitin 2017, ku me këtë buxhet është vënë në funksion Komisioni për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, ndërsa për vitin 2018, Qeveria e Kosovës aprovoi një buxhet prej një milion euro, ku kjo shumë do të dedikohej në pension personal për të gjitha personat e mbijetuar të dhunës seksuale, të cilët do të shkojnë pëmes Komisionit Shtetëoror për verifikimin e statusit të tyre dhe përfundimisht mund të gëzojnë të ardhura mujore, të cilat për to nuk është vetëm pension, por mbi të gjitha është një pension mbijetese, një njohje e vuajtjes së të kaluarës së tyre andaj edhe e kemi quajtur vit historik, i cili përfundimisht e ka njohur këtë grup të ndjeshëm shoqëror.

Deklaratë e Feride Rushitit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:56 0:00

Radio Evropa e Lirë: Shumë shtete thonë se ka stimgë në raportimin e dhunës seksuale. A ka ende stimgë dhe çfarë bën grupi juaj, që gratë dhe vajzat të mos jenë të frikësuara që të raportojnë rastet?

Feride Rushiti: Paragjykimet dhe kultura e vendosjes së fajësisë te një viktimë e dhunës seksuale ekzistojnë edhe sot. Fatkeqësisht, stimga në raport me këtë grup të ndjeshëm është e bazuar te vetë viktimat, te familja, te shoqëria dhe për një periudhë kohore edhe tek institucionet e vendit. Natyrisht që ne si gra aktiviste është dashur të punojmë shumë me shoqërinë, me komunitetin, me familjen për të arritur sado pak, për të krijuar një klimë mirëbesimi në shoqëri dhe për të arritur që ta ndërrojmë percepcionin shoqëror në raport me këtë krim të luftës, ku pa dashje, gratë, por edhe burrat që ishin viktima të dhunës seksuale ju vihej gishti, etiketoheshin, për një krim të cilin fare nuk ishin fajtor. Prandaj, ne si organizata joqeveritare, por edhe si aktiviste, anëtarë të Parlamentit, po ashtu edhe institucionet e vendit kemi punuar që të krijojmë një klimë mirëbesimi në shoqëri që tani ky grup i ndjeshëm të jetë më i përkrahur nga shoqëria. Por, prapë mendoj se ne duhet të bëjmë mjaft edhe në këtë drejtim ne jemi duke lansuar një fushatë dyvjeçare, e cila ka për qëllim që të adresojë stigmën në nivel nacional, por edhe në nivel të komunitetit, ku do të punohet edhe me familjarët, me institucionet por edhe me shoqërinë, vetëm e vetëm për të krijuar mundësi që ky grup i ndjeshëm shoqëror, siç janë viktimat e dhunës seksuale – grupi më fragjil i mundshëm në shoqëri - të jetë më i pranuar, të ketë guximin për të shkuar në Komision dhe për të fituar të drejtat, tani që ju mundësojnë institucionet e Kosovës dhe për të pasur një pension mujor që tani është i specifikuar me ligj.

Radio Evropa e Lirë: Në Kosovë jeton edhe minoriteti serb. Për këtë çështje a punoni me grupe të ndryshme shoqërore?

Feride Rushiti: Në organizatën që përfaqësoj realisht vijnë edhe grupe të tjera joshqiptare si boshnjake, rome, turke ndërsa përmes organizatave të tjera që operojnë në Kosovë, që janë organizata që i adresojnë kryesisht komunitetin serb, jemi munduar të bashkëpunojmë dhe të adresojmë edhe këtë çështje, vetëm e vetëm që t’iu japim zë të gjitha viktimave të dhunës seksuale, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Mbi të gjitha është mirë të përmendet se mënyra sesi duhet t’i adresohen Komisionit qeveritar. Kjo shkon përmes tri rrugëve. Njëra është përmes organizatave joqeveritare, një rrugë për t’i arritur, për t’i plotësuar formularët me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm po ashtu janë departamentet e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në shtatë rajone të Kosovës dhe një rrugë tjetër është lënë që vetë të mbijetuarat e dhunës seksuale t’i afrohen komisionit, do të thotë ta adresojnë aplikacionin e tyre. Kjo ju jep mundësi jo vetëm shqiptareve por të gjitha kategorive, të gjitha komuniteteve në Kosovë të cilët mund të klasifikohen brenda ligjit, do të thotë prej periudhës prej 27 shkurtit 1998 deri më 20 qershor të vitit 1999 që kanë përjetuar krim të dhunës seksuale të aplikojnë edhe në mënyrë vetanake. Kështu që, edhe ato që nuk janë brenda Kosovës mund të aplikojnë direkt te komisioni dhe qasjen e kanë të barabartë si të gjitha grupet që jetojnë brenda Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: A keni folur me gratë e tjera këtu lidhur me sfidat e shteteve të tjera dhe sa ju ka ndihmuar kjo për të pasur ide?

Feride Rushiti: Natyrisht se të qenit prezent me nëntë gra të fuqishme të botës, gra të cilat me aktivitetet e tyre, me veprat e tyre kanë bërë transformime shoqërore të jep forcë dhe energji për të vazhduar më tutje rrugëtimin si një aktiviste e të drejtave të njeriut dhe ishte një mundësi e mirë për të dëgjuar rrëfimet e tjera dhe sfidat të cilat pothuajse janë të njëjtat në Pakistan, Ruandë, Afganistan dhe vende të tjera ku ballafaqohen me këto krime. Prandaj ndarja e përvojave, praktikave të mira, të bën që edhe me tutje të marrësh praktika por edhe të ndashë praktika me të cilat mund të themi që në këtë fushë jo të lehtë dhe mjaft sfiduese, duhet të arrijmë që ta fuqizojmë me përvojat tona dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt vënies së drejtësisë për këtë grup të ndjeshëm shoqëror, siç janë viktimat e dhunës seksuale jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbarë botën.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG