AP
Qyteti ku Anne Frank e ka shkruar ditarin e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, sa ka qenë duke u fshehur me familjen kundër pushtimit brutal të nazistëve, është nikoqir i një ekspozite për luftën në Ukrainë.
Ekspozita që është hapur në sallën e qytetit të Amsterdamit, ofron një vizion të luftës në Ukrainës, sipas syve të fëmijëve që e kanë përjetuar konfliktin shkatërrues.
“Ekspozita është për dhimbjen që e kanë parë sytë e fëmijëve”, ka thënë Khrystyna Khranovska, në hapje të ekspozitës, e cila e ka zhvilluar idenë.
“Të gjithë të rriturit i godet në zemër dhimbja që ua ka shkaktuar lufta e Rusisë fëmijëve tanë”, ka shtuar ajo.
“Ditarët e Luftës”, përfshin shkrime të ngjashme me ato të Anne Frankut, të fshehur në një shtëpi në Amsterdam, por edhe mënyra të reja të përjetimit dhe procesimit të zhvillimeve traumatike përmes fotografive dhe incizimeve.
Në mesin e tyre është punimi i Mykola Kostenkos, tani 15-vjeçar, i cila i ka kaluar 21 ditë nën rrethim në qytetin e Mariupolit.
Sulmet e vazhdueshme në këtë qytet port në jug të Ukrainës, janë bërë simbol i luftës së presidentit rus Vladimir Putin, të nisur në shkurt të vitit të kaluar, por edhe referencë për rezistencën e popullsisë prej 430.000 personave.
Vizatimet e tij janë bërë në letra të shqyera – ato kanë qenë gjithçka që ka pasur Kostenko.
Në njërën prej tyre shihet bodrumi i vogël ku është strehuar ai bashkme familjen nga bombardimet ruse, para se të ikte përfundimisht nga vendlindja.
“E kam vënë shpirtin në të gjitha këto fotografi, sepse këto përjetime i kam pasur në Mariupol. Gjithçka që kam parë e dëgjuar. Kjo është përvoja ime dhe shpresa ime”, ka thënë Kostenko përmes një përkthyesi.
Kuratorja Katya Taylor, ka thënë se ditarët dhe arti u kanë shërbyer fëmijëve mekanizma mbrojtës gjatë luftës.
“Ne flasim aq shumë për shëndetin mendor dhe terapinë, mirëpo ata e dinë më sesa ne, se si duhet të kujdesen për veten”, ka thënë ajo.
Ajo i ka përshkruar ditarët, artin, fotografitë dhe video-incizimet e shfaqura në Amsterdam si “një lloj terapie për shumicën prej tyre”.
Situata e rëndë me të cilën janë përballur fëmijët në Ukrainë tashmë është kritikuar nga shumë mekanizma ndërkombëtarë.
Sipas zyrtarëve ukrainas, më shumë se 500 fëmijë kanë vdekur si pasojë e luftës.
Ndërkohë, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka vlerësuar se 1.5 milion fëmijë ukrainas janë në rrezik që të përballen me depresion, ankth, çrregullime të stresit post-traumatik, dhe probleme tjera mendore që kanë efekt të gjatë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar fletarrestim në muajin mars për Putinin dhe Komisionaren ruse për të Drejta të Njeriut, Maria Lvova-Belova, duke i konsideruar të dy përgjegjës për abuzimet me fëmijët nga Ukraina.
Për Kostenkon, vizatimet janë si terapi – mënyrë e procesimit të ngjarjeve traumatike.
Ai i ka incizuar disa prej tyre që ato të mos harrohen kurrë.
“Është instrument për t’i ruajtur emocionet që i kam pasur. Që unë t’i kujtoj ato në të ardhmen, sepse është e rëndësishme”, ka thënë ai.
Një tjetër shkrues ditaresh, 10-vjeçari Yehor Kravtsov, ka jetuar, po ashtu në Mariupolin e rrethuar.
Në një tekst të shfaqur afër ditarit të tij, ai ka thënë se dikur ka ëndërruar që të bëhet ndërtimtar.
Mirëpo ajo çfarë ka parë në qytetin e tij ia ka ndërruar mendjen.
“Kur kemi dalë prej bodrumit gjatë pushtimit dhe kam qenë tepër i uritur, kam vendosur se dua të bëhem kuzhinier dhe ta ushqej gjithë botën”, ka thënë ai.
“Ashtu, të gjithë njerëzit do të jenë të lumtur dhe nuk do të ketë më luftë”.