Javën e ardhshme, më 2 shtator, pritet të fillojë procesi mësimor në shkollat e Kosovës.
Bashkë me fëmijët e tjerë, në bankat shkollore do të ulen edhe fëmijët të cilët u kthyen nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak.
Prej 74 fëmijëve sa u kthyen me familjet e tyre në Kosovë në prill të këtij viti, 10 prej tyre i takojnë nivelit të kopshteve, 5 janë parashkollorë, 25 do të vazhdojnë arsimin fillor dhe 34 nivelin e mesëm të ulët dhe të lartë të arsimit.
Afërdita Jaha nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), tha për Radion Evropa e Lirë se kjo ministri në bashkëpunim me drejtoritë komunale të arsimit, kanë bërë të gjitha përgatitjet për regjistrimin e nxënësve në shkolla.
“Në bashkëpunim me drejtoritë komunale dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, më 2 shtator, do të fillojnë mësimin të gjithë fëmijët e kthyer nga vatrat e luftës. Mësimi do të fillojë për fëmijët prej moshës 6-vjeçare. Në arsimin fillor do të kthehen 25 nxënës, derisa në arsimin parashkollor do të kthehen 5 nxënës”, tha Jaha.
Ajo ka treguar se kanë siguruar kuadro për ofrimin e mësimit të përshpejtuar për nxënësit, mosha e të cilëve është më e madhe se mosha e paraparë për të qenë nxënës të rregullt. Këta fëmijë janë nga Prishtina, Suhareka, Lipjani, Ferizaj, Mitrovica, Klina dhe Gjilani.
Në prill të këtij viti, 110 qytetarë të Kosovës, duke përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë u kthyen nga Siria në Kosovë.
Kthimi i tyre, megjithatë kishte hapur një sfidë tjetër për shtetin e Kosovës -- riintegrimin e tyre. Koordinatori Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, Fatos Makolli, kishte deklaruar kohë më parë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e sigurisë janë duke kryer punën e tyre. Ai kishte veçuar si sfidë “fazën e rehabilitimit, për faktin se të kthyerit kanë kaluar periudha të vështira në zona të konfliktit, në vendet ku kanë jetuar, por edhe në kampe të ndryshme, ku ka familje që kanë qëndruar kohë të gjatë”.
“Rehabilitimi dhe riintegrimi i personave që kthehen nga zonat e konfliktit, ku kanë qëndruar për një kohë të gjatë, do të jetë i vështirë, do të ketë sfida të mëdha”, kishte deklaruar Makolli.
*Video: Rrugëtimi i 110 kosovarëve nga Siria në Kosovë
Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “ÇOHU”, tha për Radion Evropa e Lirë se mënyra më e mirë dhe më efikase për integrimin e këtyre fëmijëve në shoqëri, është pikërisht shkolla.
Por, sipas tij, së pari duhet të krijohen kushtet që këta fëmijë të mos iu nënshtrohen paragjykimeve eventuale.
Demhasaj tha se është dashur të punohet me ta prej kohës kur janë kthyer në Kosovë, të punohet me ekspertë që e njohin mirë këtë çështje dhe në fund është dashur të bëhet vlerësimi nëse këta fëmijë janë të përgatitur të kthehen në bankat shkollore.
“Nëse nuk është bërë përgatitja e duhur për integrimin e këtyre fëmijëve nëpër shkolla, atëherë kjo mund të jetë shumë e rrezikshme, sepse mund të ndodhë që ata fëmijë nga fillimi mund ta pësojnë keq nga mosgatishmëria e shoqërisë ose e shkollave për t’i integruar ata. Kjo pastaj mund të ishte një traumë shumë e rëndë për ta dhe mund të ndikojë që ata fëmijë të mos pranojnë më asnjëherë të shkojnë në shkollë”, tha Demhasaj.
Autoritetet e Kosovës thonë se në Siri vazhdojnë të mbesin edhe dhjetëra qytetarë të Kosovës, mirëpo ende nuk dihet kur mund të kthehen.