Ndërlidhjet

Rritet numri i familjeve afgane që i dërgojnë fëmijët për të punuar


Fëmijët afganë pozojnë për një foto në fabrikën e tullave ku punojnë në periferi të Kabulit. Ka të paktën 1 milion fëmijë që punojnë në Afganistan, ku të ardhurat janë ulur dhe miliona njerëz janë në prag të urisë.
Fëmijët afganë pozojnë për një foto në fabrikën e tullave ku punojnë në periferi të Kabulit. Ka të paktën 1 milion fëmijë që punojnë në Afganistan, ku të ardhurat janë ulur dhe miliona njerëz janë në prag të urisë.

Ghulam Ali fiton rreth 2 dollarë në ditë duke shitur perime me një karrocë druri, që e tërheq zvarrë në kryeqytetin afgan, Kabul.

Ai është vetëm 14 vjeç, edhe është mbajtësi i familjes së tij. Kur babai i tij u sëmur dhe nuk kishte mundësi për të punuar, Aliu ishte i detyruar ta braktiste shkollimin vitin e kaluar dhe të punonte për shtëpinë e tij.

“Një vit më parë, unë vijoja shkollimin dhe punoja nganjëherë. Mirëpo, këtë vit jam duke punuar me orar të plotë”, tha Aliu për Radio Azadi të Radios Evropa e Lirë.
Ali, që ka kryer klasën e tetë, është një nga të paktën një milion fëmijët që punojnë në Afganistan, ku pagat kanë rënë dhe miliona njerëz përballen me urinë. Shumë fëmijë punojnë si lustrues këpucësh, larës automjetesh, lypës rrugësh ose punëtorë në miniera.

Shumë fëmijë afganë punojnë në dyqane riparimi makinash.
Shumë fëmijë afganë punojnë në dyqane riparimi makinash.

Që kur talibanët morën kontrollin në vitin 2021, numri i fëmijëve që punojnë është rritur, duke përkeqësuar situatën edhe ashtu të rëndë humanitare dhe duke nxitur një kolaps ekonomik që rezultoi me rritje të inflacionit dhe të papunësisë.

Sipas Kombeve të Bashkuara, gjashtë milionë afganë janë në prag të një krize urie dhe 28 milionë të tjerë kërkojnë ndihmë të menjëhershme humanitare.

Kufizimet e ashpra të talibanëve për punësimin e gjinisë femërore, duke përfshirë ndalimin e grave që të punojnë për organizatat joqeveritare lokale dhe ndërkombëtare (OJQ), kanë kontribuar gjithashtu në rritjen e numrit të fëmijëve që punojnë.

Agjencitë e ndihmës kanë ofruar ndihmë monetare dhe ushqimore për shtëpitë e udhëhequra nga gratë, në mënyrë që ato të mbijetojnë. Megjithatë, shumë prej tyre janë lënë të kujdesen për veten e tyre pasi OJQ-të perëndimore ndërprenë aktivitetet pas ndalimit nga ana e talibanëve në dhjetor.

Samiu, babai i të cilit vdiq disa vite më parë, kalon nëpër deponitë e plehrave në qytetin perëndimor të Farahut duke kërkuar për plastikë dhe metal të riciklueshëm që të mund ta shesë. Ai fiton deri në 0,50 dollarë në ditë.

Me familjen e tij, që nuk merr mbështetje nga ndihma humanitare, Samiu është detyruar të punojë në rrugë.

“Jam vetëm 13 vjeç dhe jemi gjashtë anëtarë në shtëpi. Nuk mund t'i përballoj shpenzimet e shtëpisë, kemi nevojë për ndihmë”, tha ai për Radio Azadi.

Prindër në nevojë

Sipas një sondazhi të vitit 2022 të organizatës Save the Children, një e pesta e familjeve afgane janë detyruar t’i dërgojnë fëmijët e tyre në punë.

“Nëse vetëm një fëmijë në secilën prej këtyre familjeve dërgohet në punë, atëherë më shumë se një milion fëmijë në vend janë të angazhuar në punë”, tha organizata me bazë në Londër.

Një tjetër sondazh zbuloi se 29 për qind e familjeve të udhëhequra nga gratë në vitin 2022 kishin të paktën një fëmijë të angazhuar në punën, në krahasim me 19 për qind në vitin 2021. Në familjet e udhëhequra nga burrat, shifrat u rritën nga 13 në 21 për qind.

Një vajzë afgane duke punuar në një fabrikë tullash në provincën Nangarhar.
Një vajzë afgane duke punuar në një fabrikë tullash në provincën Nangarhar.

Sipas Nisar Ahmad Kohin, një specialist afgan për të drejtat e fëmijëve, "neglizhimi i së ardhmes së fëmijëve tanë vetëm do të shkatërrojë të ardhmen e vendit tonë".

Aktivistët u kanë kërkuar talibanëve ta ndalojnë punën e fëmijëve. Megjithatë, militantët nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të adresuar këtë çështje.

Ndërsa sfidat e rënda ekonomike dhe humanitare të Afganistanit përkeqësohen, numri i fëmijëve që punojnë pritet të rritet.

OKB-ja vlerësoi muajin e kaluar se pothuajse 85 për qind e afganëve jetojnë në varfëri. Kjo shifër pasqyron një rritje masive prej 15 milionë nga viti 2020, kur Qeveria afgane e mbështetur nga Perëndimi ishte ende në kontroll.

Një djalë afgan duke punuar në një minierë qymyri në provincën Samangan.
Një djalë afgan duke punuar në një minierë qymyri në provincën Samangan.

Habibullah ka një dyqan riparimi makinash në provincën qendrore të Bamiyanit. Ai tha se prindërit, në pamundësi për të ushqyer familjet e tyre, po i dërgojnë gjithnjë e më shumë fëmijët e tyre në punë.

"Çdo ditë vijnë prindërit dhe më kërkojnë t'i marr fëmijët e tyre. Kushtet ekonomike po i detyrojnë njerëzit të sakrifikojnë shkollimin e fëmijëve të tyre [dhe t'i dërgojnë në punë]", tha Habibullah për Radio Azadi.

Mira Jan Rasikh, një punonjëse sociale në Bamiyan, tha se talibanët duhet të marrin përgjegjësinë.

“Qeveria është e detyruar t'i mbrojë fëmijët nga jeta e mundimshme”, tha ajo për Radio Azadi.

Përgatiti: Albina Kastrati

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG