Ndërlidhjet

Klinaku: Aktgjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt, vendim politik


Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj në seancën ku u shpall aktgjykimi dënues ndaj tyre. Hagë, 18 maj 2022.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj në seancën ku u shpall aktgjykimi dënues ndaj tyre. Hagë, 18 maj 2022.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, tha se aktgjykimi dënues ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, i shqiptuar nga Dhomat e Specializuara ishte “politik” dhe e quajti këtë institucion “gjykatë politike".

Më 18 maj, trupi gjykues shpalli fajtorë drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajt, për akuzat e pengimit të administrimit të drejtësisë dhe i dënoi me nga katër vjet e gjysmë burgim.

“Me të gjitha mundësitë tona ne do ta pengojmë funksionimin e saj [Gjykatës Speciale], sepse nuk i ndjek krimet e luftës, por i ndjek shqiptarët. Po t’i ndiqte krimet e luftës, do duhej t’i ndiqte krimet dhe masakrat që i ka shkaktuar Serbia pushtuese në Kosovë” , tha Kliniku në një konferencë për media në Prishtinë pas shpalljes së aktgjykimit.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kishin shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Në aktakuzë thuhet se këto dokumente, kopje të së cilave u janë shpërndarë gazetarëve në tri konferenca për media, kanë pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë, të cilët mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Klinaku nuk e përjashtoi mundësinë e shprehjes së pakënaqësisë së kësaj organizate para Kuvendit të Kosovës, për shkak se ky institucion kishte votuar vite më parë për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Është fatkeqësi që deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë krijuar gjykatë politike. Është fatkeqësi që edhe deputetët e kësaj legjislature nuk marrin masa ndaj kësaj gjykate politike. Kuvendi ka të drejtë të ndryshojë ligje sepse Ligji për Dhomat e Specializuara i ndjek vetëm shqiptarët”, tha ai.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Kjo gjykatë është themeluar në gusht të vitit 2015.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG