Në Kosovë llogaritet se janë më shumë se 1.300 farmacistë, rreth 90 për qind prej të cilëve punojnë në sektorin privat.
Në shtator të këtij viti, brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë hapur 101 barnatore, të cilat shërbejnë për furnizimin e klinikave brenda këtij institucioni.
Për 20 vjet, ekspertët e shëndetësisë ishin ankuar për mungesë të një sistemi të mirëfilltë për menaxhimin e barnave në QKUK.
Ndërkohë, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë patën deklaruar se "me këto 101 barnatore, asnjë ilaç që u dedikohet pacientëve, nuk do të humbë dhe nuk do të prishet duke u mbajtur në kushte jonormale”.
Megjithatë, për barnat e vendosura në këto 101 barnatore brenda QKUK-së, kujdesen vetëm 19 farmacistë.
Alban Desku, farmacist, thotë për Radion Evropa e Lirë se për 20 vjet me radhë farmacistët janë lënë jashtë sistemit publik, duke mos u konsideruar si punonjës shëndetësorë.
Sipas tij, asnjë profesionisti tjetër nuk do të duhej t’i besohej udhëheqja e një barnatoreje, përpos farmacistit, andaj e sheh si të domosdoshme shpalljen e konkursit brenda QKUK-së për punësim të personave nga kjo fushë.
"Unë mendoj që është e domosdoshme që çdo repart që funksionon brenda klinikës, duhet ta ketë një barnatore, e cila duhet të ketë minimum një farmacist. Aty ku punohet me barna, qasjen duhet ta ketë vetëm farmacisti dhe askush tjetër, ashtu sikurse në vendin ku punohet me pacientë, ku qasjen duhet ta ketë vetëm mjeku e jo një profesion tjetër”, thotë Desku.
Ndërkaq, Florina Berisha, kryetare e Shoqatës së farmacistëve, bën të ditur se ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, 101 barnatoret brenda QKUK-së i ka quajtur ‘barnatore doracake’, duke thënë se si shoqatë, nuk janë në njohuri se ekziston një term i tillë. Po ashtu, nënvizon ajo, nuk është e përcaktuar as me ligj ose udhëzim administrativ, se çka është ‘barnatorja doracake’.
“Tashmë 101 barnatoret janë funksionale brenda QKUK së dhe ne, si shoqatë farmaceutike, kemi bërë thirrje publike që barnatoret të funksionojnë vetëm me prezencën e farmacistit. Andaj, kemi kërkuar që të punësohen 101 farmacistë. Në momentin kur është barnatore, nuk ka barnatore e madhe ose e vogël, ose barnatore doracake. Një farmacist dhe dy teknikë duhet t’i ketë një barnatore. Aty janë gjithsej 19 farmacistë dhe ata nuk punojnë pasdite dhe në ndërrim të natës, andaj aty duhet ketë patjetër”, thotë Berisha.
Ajo shton se kërkesat e farmacistëve për punësim në sektorin publik, janë të mëdha.
“Ka kërkesë dhe ka farmacistë për punësim, pasi as 10 për qind e farmacistëve, nuk punojnë në sektorin publik. Rreth 1.300 farmacistë i ka Kosova dhe pothuajse 90 për qind e tyre punojnë në sektorin privat, pra janë komplet jashtë sistemit publik”, shton Berisha.
Ndërkaq, Shpend Fazliu, zyrtar për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se 19 farmacistë sa janë aktualisht të punësuar në këtë institucion, i menaxhojnë të gjitha barnatoret brenda QKUK-së.
“Këto mini-barnatoret, që janë 101 sosh, janë nën menaxhim të këtyre farmacistëve, por ndërkohë do të rritet numri i farmacistëve dhe këto mini-barnatore do ta kenë nga një farmacist. Kjo për shkak se kontrolli i barnave të jetë sa më i mirë gjatë shpërndarjes. Çdo hyrje-dalje e barnave, aktualisht, regjistrohet dhe funksionon me kartela në mënyrë që mos të mund të ketë keqpërdorime”, thotë Fazliu.
Në Kosovë nuk ka ligj që rregullon hapjen e barnatores si institucion shëndetësor, por që barnatore mund të hapë edhe një person që nuk e ka të përfunduar Fakultetin e Farmacisë.
Kjo, sipas farmacistëve, duhet rregullohet sa më shpejt, meqenëse siç thonë ata, ka degraduar profesioni i farmacistëve dhe farmacisti nuk konsiderohet si punonjës shëndetësor.