Që nga 26 gushti i vitit të kaluar e deri më 24 maj të këtij viti, Policia e Kosovës ka shqiptuar mbi 202 mijë gjoba kundër qytetarëve që kanë shkelur masat kundër COVID-19.
Falja e këtyre dënimeve, po synohet të bëhet përmes një peticioni, të cilin për një javë e kanë nënshkruar rreth 4 mijë qytetarë, në qytete të ndryshme të Kosovës. Një nismë e tillë, për t’u dërguar për trajtim në Kuvendin e Kosovës, duhet t’i ketë së paku 10 mijë nënshkrime.
Nol Nushi nga Partia Socialdemokrate (PSD), parti kjo që ka nisur këtë peticion, tha për Radion Evropa e Lirë se ‘Projektligji për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së pandemisë COVID-19’, ka për qëllim faljen e borxheve vetëm për disa kategori, por jo edhe për partitë politike.
“Falja përfshin borxhet e qytetarëve si persona fizikë, borxhet e bizneseve të vogla dhe të mesme. I kemi përjashtuar partitë politike nga falja, ato parti që kanë bërë katastrofë shëndetësore gjatë fushatës zgjedhore të fundit dhe po ashtu edhe bizneset e mëdha i kemi larguar nga mundësia e faljes së borxheve”, tha Nushi.
Ai tha se me anë të këtij projektligji, parashihet që qytetarëve që tashmë i kanë paguar gjobat, t’iu kthehen paratë.
“Janë rreth 200 mijë gjoba dhe shumica prej tyre janë të papaguara, mirëpo qytetarët po detyrohen dhe po kushtëzohen që për regjistrimet e veturave t’i paguajnë të gjitha gjobat, ndërkohë që kemi krizë ekonomike. Nuk ka ndihma qeveritare, s’ka vaksina, s’ka kuptim të ngarkohen qytetarët edhe me gjoba”, tha Nushi.
Ai tha se Qeveria, që sipas tij, vetë nuk i ka respektuar masat, duhet ta ketë parasysh që qytetarët nuk mund të vetëdijesohen vetëm përmes gjobave.
Në Shqipëri, qytetarëve u janë falur gjobat e shqiptuara nga 17 prilli, 2020 e deri në 7 tetor, 2020.
Efekti i faljes së gjobave
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës nuk i kanë trajtuar në mënyrë të barabartë dhe të drejtë të gjithë qytetarët e Kosovës.
Në aspektin e të drejtave të lirive të njeriut, tha Miftaraj, falja do të ishte e mirëseardhur.
“Falja e këtyre gjobave sigurisht që do të kishte efekt, së paku në rikthimin e drejtësisë për ata qytetarë të cilët kanë qenë subjekt i këtyre gjobave”, tha Miftaraj.
Megjithatë, sipas tij, falja e këtyre gjobave do të kishte efekt negativ në menaxhimin e pandemisë së koronavirusit.
“Në aspektin e parandalimit të pandemisë apo mesazhit që dërgohet te qytetarët, të cilët mundet që pastaj të mos i respektojnë këto masa, mund të themi që është një iniciativë e hershme, pa përfunduar pandemia ose pa pasur të vaksinuar së paku 60 ose 70 për qind të popullsisë”, tha Miftaraj.
Të ndarë sa i përket faljes së këtyre gjobave, janë edhe qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë, Mirsad Krasniqi dhe Shyhrete Gllogu.
“Unë mendoj se nuk duhet të falen për shumë arsye, ndoshta njëra ndër kryesoret është sepse ata (qytetarët) kanë treguar një mosdëgjueshmëri qytetare, sepse atëherë po i bie që dikush është mbi ligjin, mbi atë që e thotë shteti”, tha Krasniqi.
“Po duhet të falen, për arsye se njerëzit kanë pasur nevojë të dalin, ndoshta disa edhe pa të drejtë janë gjobitur, po ashtu edhe kushtet materiale dhe njerëzit nuk kanë parë që t’i paguajnë”, tha Gllogu.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga 26 gushti i vitit të kaluar e deri më 24 maj të këtij viti, më së shumti gjoba janë shqiptuar në Prishtinë, gjithsej 52,577 gjoba, duke u pasur nga Prizreni, Peja e Ferizaj.
Që nga mesi i muajit mars të vitit 2020 e deri më tash, në Kosovë kanë vdekur mbi 2,240 pacientë nga COVID-19.
Facebook Forum