Vendet në të gjithë botën, nga sot, nisën me zbatimin e masave të reja, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Numri total i të prekurve me sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19, është afro 170,000, ndërsa mbi 6,500 pacientë kanë humbur jetën.
Përhapja e shpejtë e koronavirusit kërcënon ta çojë ekonominë globale në recesion, pasi bizneset janë mbyllur përkohësisht, duke i detyruar bankat qendrore të ndërmarrin masa ekstreme për të qetësuar tregjet e aksioneve.
Në të gjithë Evropën, kontinentin që së voni është identifikuar si epiqendër e pandemisë së koronavirusit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), shumë shtete kanë kufizuar lëvizjen e përditshme të qytetarëve dhe udhëtimet ndërkombëtare, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Nga dita e sotme, Republika Çeke është futur në karantinë të përgjithshme, duke lejuar lëvizjen e njerëzve vetëm për punë dhe emergjenca.
Në një gjendje të tillë, Italia është tash e sa ditë, pasi numri i të infektuarve dhe i viktimave atje vazhdon të rritet ndjeshëm.
Italia është vendi i goditur më së keqi në Evropë nga koronavirusi, me gati 25,000 të prekur dhe me mbi 1,800 viktima.
*Video: Izolimi nuk ua ndalë festën italianëve
Pas saj vjen Spanja, e cila ka mbi 8,000 njerëz të infektuar, ndërsa gati 2,000 prej tyre janë regjistruar vetëm të dielën.
Është paralajmëruar se edhe Spanja mund të shpallë karantinë kombëtare.
Franca, ndërkaq, pritet të izolojë dy qytete, përfshirë Parisin, pasi numri i të infektuarve vazhdon të rritet. Aktualisht, Franca i ka mbi 5,400 raste.
Britania, e cila u ka rezistuar kufizimeve të mëdha, raportohet se po përgatitet t’i ndalojë tubimet e mëdha.
Në Shtetet e Bashkuara, ndalesa e udhëtimit nga 26 vende të Evropës ka shkaktuar kaos në aeroporte, gjatë fundjavës. Ndalesa, nga sot, përfshin edhe Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën.
“Na falni për ndërprerjet dhe vonesat”, ka shkruar presidenti amerikan, Donald Trump, në një postim në Twitter.
“Po lëvizim sa më shpejt që është e mundur, por është shumë e rëndësishme që të jemi vigjilentë dhe të kujdesshëm”, ka thënë Trump.
Nju Jorku, që është qyteti më i madh i SHBA-së për nga popullsia, do ta mbyllë sistemin publik shkollor nga sot, ka bërë të ditur kryetari i tij, Bill de Blasio.
Në Kinë, vendin e origjinës së koronavirusit, autoritetet raportojnë për rënie të numrit të të infektuarve, por ato po bëjnë kontrolle të mëdha të udhëtarëve ndërkombëtarë, pasi 16 raste të reja të importuara janë raportuar më 16 mars.
Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në qytetin Vuhan të Kinës në fund të dhjetorit dhe, që atëherë, janë përhapur në gati 120 vende të botës.
Shenjat kryesore të infektimit me koronavirus janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
Autoritetet shëndetësore bëjnë vazhdimisht thirrje për pastrimin e duarve dhe higjienë maksimale.