Ndërlidhjet

Ministri gjerman: Evropa duhet të riarmatoset teksa rriten kërcënimet


Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

Evropa duhet të garantojë se mund të mbrojë më mirë veten, pasi deri në fund të dekadës mund të mund të përballet me kërcënime të reja, dhe për shkakun se Shtetet e Bashkuara, janë duke e fokusuar vëmendjen te Indo-Paqësori, ka thënë ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

Rusia është duke e rritur prodhimin e armëve për ta përballuar luftën në Ukrainë, por duke i kërcënuar kështu edhe shtetet baltike, si dhe Gjeorgjinë e Moldavinë, është cituar të ketë thënë Pistorius, përgjatë një interviste për gazetën Welt am Sonntag.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara me kohë do ta zvogëlojnë përkushtimin ushtarak në Evropë, pasi kanë më shumë interesim për Indo-Paqësorin.

“Ne evropianët duhet të angazhohemi më shumë, për të garantuar sigurinë e kontinentit tonë”, ka thënë Pistorius, ndonëse e ka pranuar se rajonit do t’i duhet kohë për të rritur prodhimin e armëve.

“Do të na duhen 5-8 vjet për të arritur cakun, sa u përket forcave të armatosura, industrisë dhe shoqërisë”, ka thënë ai.

Evropa e ka të qartë që do të duhet të kompensojë ndihmën amerikane për Ukrainën, nëse Uashingtoni nuk arrin pajtueshmëri për fondet e reja, ka shtuar ministri gjerman.

Sipas tij, pushteti i ri në Poloni, më miqësor me Evropën, do të mundësojë që vendet e Trekëndëshit të Vajmarit, Berlini, Parisi dhe Varshava, të rrisin bashkëpunimin e tyre ushtarak.

Pistorius ka thënë se nuk parasheh që ushtria gjermane t’i përsërisë misionet sikurse ato që i ka pasur në Afganistan apo Mali.

Misioni gjerman në Afganistan, ka qenë i pari për këtë shtet prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG