Ndërlidhjet

Tri vende të NATO-s përfundojnë evakuimet nga Afganistani


Aeroporti i Kabulit. Gusht, 2021.
Aeroporti i Kabulit. Gusht, 2021.

Tri vende të NATO-s, Holanda, Belgjika dhe Hungaria, thanë se kanë përfunduar operacionet e tyre për evakuimin e personelit nga Afganistani dhe të shtetasve afganë që i kanë ndihmuar.

Presioni për të përfunduar evakuimet e mijëra të huajve dhe afganëve është intensifikuar, pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët paralajmëruan për një sulm të mundshëm terrorist në aeroportin e Kabulit.

Afganistani ka rënë nën kontrollin e militantëve talibanë më 15 gusht. Që atëherë, mbi 82,000 njerëz janë nxjerrë me avionë nga Kabuli.

Mijëra të tjerë presin brenda dhe jashtë aeroportit, me shpresën se do të mund të largohen.

Afati për evakuim është data 31 gusht.

Qeveria holandeze tha se do t’i ndalojë sot fluturimet e evakuimit nga Kabuli. Ajo pranoi se ky është një “moment i dhimbshëm”, pasi disa njerëz do të mbeten në Afganistanin e sunduar nga talibanët.

Personeli i Ambasadës holandeze dhe ekipi ushtarak në aeroportin e Kabulit do të fluturojnë me aeroplanët e fundit të enjten, tha Qeveria holandeze.

Në Belgjikën fqinje, kryeministri Alexander De Croo tha se vendi i tij i ka përfunduar operacionet e evakuimit, pasi burimet amerikane e kanë informuar Qeverinë e tij për një sulm të afërt me bombë rreth aeroportit të Kabulit.

De Croo tha në një konferencë për media se Belgjika ka evakuuar rreth 1,400 njerëz nga Kabuli.

Në Budapest, Ministria hungareze e Mbrojtjes tha se dy avionët e saj ushtarakë dhe të gjithë trupat e saj që kanë marrë pjesë në evakuime, janë larguar nga Afganistani dhe janë kthyer në Hungari.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha një ditë më parë se fluturimet evakuuese të Hungarisë nga Afganistani janë drejt fundit dhe se Hungaria ka nxjerrë më shumë se 500 njerëz nga Kabuli.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG