Ndërlidhjet

Çfarë ndodhi me evakuimet nga Afganistani?


Qytetarët afganë duke u larguar nga aerporti i Kabulit përmes një avioni të ushtrisë amerikane. 24 gusht 2021.
Qytetarët afganë duke u larguar nga aerporti i Kabulit përmes një avioni të ushtrisë amerikane. 24 gusht 2021.

Associated Press

Evakuimi i qytetarëve amerikanë dhe të tjerëve nga Afganistani nuk përfundoi me largimin e trupave të fundit amerikane më 30 gusht, por ky proces u ngadalësua. Shtetet e Bashkuara evakuuan përmes avionëve 124,000 persona nga Kabuli gjatë gjashtë javëve, teksa ushtria afgane dhe Qeveria, që mbështeteshin nga Uashingtoni, ranë dhe kontrollin e shtetit e morën talibanët.

Që atëherë, dhjetëra-mijëra persona kanë arritur që të largohen nga Afganistani, kryesisht përmes fluturimeve të aranzhuara nga Departamenti amerikan i Shtetit ose nga grupet private dhe individë të ndryshëm. Në përpjekjet për evakuim janë përfshirë edhe persona të profilit të lartë, siç ishte edhe fluturimi i realizuar më 18 nëntor, që u organizua nga ylli televiziv, Kim Kardashian West. Përmes këtij fluturimi, nga Afganistani u larguan pjesëtaret e një ekipi të futbollit të vajzave dhe familjarët e tyre.

Shumica e fluturimeve nga Afganistani, megjithatë, janë kryer në qetësi dhe me to janë larguar shtetasit amerikanë, banorët e SHBA-së apo personat e pajisur me viza të posaçme migrimi, të cilët kanë punuar si përkthyes ose ndihmës të ushtrisë gjatë luftës 20-vjeçare në Afganistan. Por, njerëzit e përfshirë në këto përpjekje po u bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të tjera që të bëjnë më shumë që më shumë njerëz të mund të largohen nga sundimi i talibanëve.

Më poshtë mund të mësoni se si është aktualisht situata:

Kush u evakuua gjatë fazës së parë dhe ku u dërguan?

Teksa Qeveria dhe ushtria afgane ranë dhe talibanët morën kontrollin e shtetit në muajin gusht, SHBA-ja u përpoq që me nxitim të evakuonte sa më shumë njerëz përmes aeroportit kryesor të Kabulit. Në këtë aeroport pati skena kaotike sepse talibanët morën kontrollin e shtetit më shpejt sesa Qeveria amerikane priste që të ndodhte. Evakuimi, që kryesisht u realizua përmes avionëve ushtarakë kargo, kishte për prioritet shtetasit amerikanë, personat me qëndrim të përhershëm në SHBA, poseduesit e vizave të posaçme ose personat që puna e tyre e tyre do t’u mundësonte që të posedonin një vizë të tillë. Me avionë u larguan edhe personat që konsideroheshin se mund të jenë cak i hakmarrjes së talibanëve gjatë sundimit të tyre, përfshirë edhe gazetarët dhe avokuesit e të drejtave të njeriut.

Afganët e parë i shpëtojnë kaosit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:14 0:00

Në mesin e 124,000 personave të evakuuar në fazën e parë u përfshin edhe rreth 6,000 shtetas amerikanë. Disa afganë, që u larguan përmes këtyre fluturimeve, janë vendosur përkohësisht në të paktën tetë shtete që janë pajtuar t’i strehojnë derisa t’iu rregullohet statusi ligjor për t’u zhvendosur në SHBA apo në ndonjë shtet tjetër. Deri më tani, SHBA-ja ka pranuar 73,000 afganë, që u evakuuan në fazën e parë. Ata më pas do të zhvendosen nëpër komunitete në mbarë SHBA-në përmes mbështetjes së organizatave private. Rreth 40,000 të tjerë ende po qëndrojnë në shtatë baza ushtarake në SHBA, ku po presin që të përfundojë procedurat e migrimit dhe procedurat mjekësore, në mënyrë që të mund të vendosen në komunitete.

Çfarë ka ndodhur që prej fazës së parë të evakuimit?

Në muajin shtator, talibanët filluan të lejojnë disa fluturime, përmes së cilave u larguan shtetasit amerikanë, banorët me qëndrim në SHBA, poseduesit e vizave të posaçme, qytetarët e disa shteteve të tjera dhe afganët me dokumente të rregullta udhëtimi. Organizatat private, të tilla si Allied Airlift 21 dhe Task Force Argo kanë raportuar se kanë arritur të realizojnë fluturime, duke evakuuar qindra persona. Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se që nga 30 gushti ka arritur të evakuojë 325 persona që janë banorë të përhershëm të SHBA-së.

Personat e përfshirë në këto përpjekje vlerësojnë se numri i përgjithshëm i njerëzve të evakuuar është rreth 8,000. Procesi i evakuimit është i kufizuar për shumë arsye, përfshirë edhe faktin që shumë persona po fshihen ose kanë shkatërruar apo kanë humbur dokumentet personale kur talibanët erdhën në pushtet. Aplikimi për vizë të migrimit në SHBA, në këtë pikë, është jashtëzakonisht i vështirë sepse Ambasada amerikane është mbyllur. Por, Katari së fundmi është pajtuar që të kryejë disa shërbime konsullore për SHBA-në.

A ka ende qytetarë amerikanë në Afganistan?

Përgjigja në këtë pyetje është po.

Zyrtarët e administratës së presidentit, Joe Biden thanë në nëntor se besojnë se disa qindra amerikanë vazhdojnë të jenë në Afganistan. Departamenti amerikan i Shtetit vazhdon të ofrojë ndihmë për largimin nga Afganistani të çdo qytetari apo personi që ka qëndrim të përhershëm në SHBA. Kur përfundoi evakuimi i ushtrisë amerikane, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken deklaroi se numri i shtetasve amerikanë që kishin mbetur në Afganistan ishte nën 200 “ose me gjasë më afër shifrës prej 100 personash”. Por, ky numër më pas është katërfishuar nga Departamenti i Shtetit.

Blinken që atëherë ka thënë se Departamenti i Shtetit është në kontakt me qytetarët amerikanë të cilët kanë shprehur dëshirën që të largohen. Por, organizatat private, siç është Task Force Argo dhe organizata të tjera, kanë thënë se kanë dëgjuar nga dhjetëra persona në Afganistan, të cilët kanë thënë se ende nuk janë kontaktuar nga Qeveria amerikane. Situata me numrin e amerikanëve që janë ende në Afganistan është e paqartë për një arsye kryesore. Amerikanët në Afganistan nuk është dashur që të regjistrohen në ambasadë dhe disa persona, që kanë shtetësi amerikane apo qëndrim në SHBA, mund të jenë duke u fshehur nga talibanët. Blinken po ashtu ka thënë se disa persona nuk duan të largohen nga shteti për shkak se do të duhej që të linin pas familjarët e tyre.

Po personat e tjerë që duan të largohen nga Afganistani?

Grupet e të drejtave të njeriut dhe organizatat që ndihmojnë afganët kanë thënë se janë të paktën dhjetëra-mijëra persona në Afganistan të cilët mund të përballen me hakmarrje nga talibanët dhe duhet të largohen nga vendi. Në këtë grup përfshihen edhe personat që kanë punuar me Qeverinë afgane, të mbështetur nga SHBA-ja, apo me ushtrinë afgane, por po ashtu edhe pjesëtarët e minoriteteve etnike dhe pjesëtarët e komunitetit LGBTQ. Disa prej tyre kanë arritur që të largohen në shtete të tjera dhe kanë mundësi që të aplikojnë për statusin e refugjatit në SHBA apo në ndonjë shtet tjetër.

AfghanEvac është koalicion i më shumë se 100 organizatave që punojnë për të evakuuar njerëzit nga Afganistani; shumica e këtyre grupeve janë të krijuara nga veteranët ushtarakë. Përfaqësuesit e AfghanEvac së fundmi janë takuar me Blinkenin, si pjesë e një fushate për të bindur SHBA-në që të përshpejtojë procesin e evakuimit.

Organizatat po ashtu po kërkojnë që të marrin mbështetje nga Kongresi, me shpresën që të zgjerohet lista e personave që do të mund të kualifikoheshin për vizë të posaçme të migrimit, duke kërkuar që në këtë listë të përfshihen edhe personat që kanë shërbyer në njësitë elite të ushtrisë afgane. Disa organizata po kërkojnë mbështetje më të madhe financiare nga Qeveria amerikane.

“Na duhet ndihmë, vërtetë na duhet”, tha Scott Mann, themelues i Task Force Pineapple, organizatë që ka për qëllim të evakuojë personat nga Afganistani.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG