Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), tha më 25 tetor se urdhri i ushtrisë izraelite për banorët në veri të Gazës që të largohen nga ajo pjesë, mund të ketë shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar.
Ushtria izraelite ka lëshuar fletushka në Gazë, duke u kërkuar palestinezëve që të largohen nga veriu i enklavës së rrethuar ose rrezikojnë të identifikohen si bashkëpunëtorë të grupit militant palestinez, Hamas.
Fletushkat po lëshohen nga ajri afër një javë pasi fillimisht ushtria izraelite u bëri thirrje afër 1.1 milion banorëve në veri të Gazës që të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të shkojnë në jug, teksa Izraeli po përgatitet për një pushtim tokësor të Rripit të Gazës.
“Mesazhet në këto fletushka nuk mund të konsiderohen si paralajmërime efektive për civilët dhe në vend të kësaj ofrojnë dëshmi të mëtejme se Izraeli synon që me forcë të zhvendosë civilët në veri të Gazës”, tha Donatella Rovera, këshilltare e lartë në AI për përgjigje ndaj krizave.
“Shpallja e një qyteti të tërë apo të një rajoni si cak ushtarak është në kundërshtim të ligjit ndërkombëtar humanitar”, shtoi Rovera.
Izraeli po bombardon vazhdimisht Rripin e Gazës – ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë – në kundërpërgjigje të sulmeve të Hamasit. Hamasi kreu sulme të koordinuara nga toka, ajri dhe deti më 7 tetor në qytetet jugore izraelite, duke vrarë mbi 1.400 izraelitë. Në Gazë është raportuar për mbi 5.700 të vrarë.
Izraeli është zotuar se do të kryejë një sulm tokësor në Gazë për të shënjestruar Hamasin, por nuk ka treguar se kur do të ndodhë një sulm i tillë.