Ndërlidhjet

EULEX-i angazhon ekip të specializuar për veriun


Këshilltarët policorë të EULEX-it të cilët do të shërbejnë në Kosovë.
Këshilltarët policorë të EULEX-it të cilët do të shërbejnë në Kosovë.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dërgoi gjashtë këshilltarë policorë të cilët do të punojnë në katër stacionet e Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Dislokimi është bërë të enjten dhe ka për qëllim përforcimin e kapacitetit këshillues dhe monitorues të këtij misioni, bëri të ditur EULEX.

Dislokimi do të zgjasë fillimisht për dy muaj, me mundësinë e vazhdimit “derisa Misioni ta ketë krijuar një kapacitet afatgjatë këshillues policor në veri të Kosovës”.

“Në mënyrë të veçantë, Ekipi i Spacializuar i EULEX-it do ta këshillojë Policinë e Kosovës se si t’i kryejë më mirë aktivitetet e rregullta policore gjatë parandalimit dhe luftimit të krimit dhe ofrimit të sigurisë, duke e monitoruar gjithashtu respektimin e detyrimeve të tyre për të drejtat e njeriut, për t'i shërbyer komuniteteve që ata i mbrojnë dhe për ta rritur besimin e popullatës përmes punës policore të orientuar në komunitet”, njoftoi EULEX.

Tre nga këta pjesëtarë janë nga Holanda dhe tre të tjerë nga Suedia.

“...Duke u bazuar në përvojën dhe ekspertizën e tyre policore në komunitet, do të punojnë në komunat veriore në koordinim të ngushtë me kolegët e tyre të Policisë së Kosovës dhe me Këshilltarët e Lartë Policorë të EULEX-it, të cilët e këshillojnë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut dhe katër stacionet policore nën komandën e saj”, bëri të ditur EULEX.

Sipas EULEX-it, dislokimi i Ekipeve të Specializuara me ekspertizë dhe kapacitete të ndryshme është një instrument i ofruar nga Kompakti i Politikës Civile të Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP), i miratuar në maj 2023 për të dislokuar shpejt ekspertë në Misionet Civile të CSDP-së për t'iu përgjigjur me shpejtësi nevojave operacionale dhe zhvillimeve të sigurisë në terren.

Që nga fundi i majit, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, tensionet janë të larta, pasi serbët lokalë kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave.

Tensionet u rritën dukshëm më 24 shtator kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë të Zveçanit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Tre sulmues serbë u vranë në luftimet që pasuan.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG