Udhëheqësit e Estonisë dhe Finlandës duan që vendet evropiane të ndalojnë lëshimin e vizave turistike për qytetarët rusë, duke thënë se ata nuk duhet të jenë në gjendje të bëjnë pushime në Evropë, derisa Rusia po bën luftë në Ukrainë.
Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, shkroi të martën në Twitter se "të vizitosh Evropën është një privilegj, jo një e drejtë njerëzore" dhe se "tani është koha për t'i dhënë fund turizmit nga Rusia".
Një ditë më parë, homologia e saj në Finlandë, Sanna Marin, i tha transmetuesit finlandez YLE se “nuk është e drejtë që në kohën kur Rusia po zhvillon një luftë agresive dhe brutale në Evropë, rusët të mund të jetojnë një jetë normale, të udhëtojnë në Evropë, të jenë turistë".
Estonia dhe Finlanda kufizohen me Rusinë dhe janë anëtarë të Bashkimit Evropian, që ndaloi udhëtimin ajror nga Rusia, pasi pushtoi Ukrainën. Por rusët ende mund të udhëtojnë në rrugë tokësore në të dy vendet dhe më pas të fluturojnë për në destinacione të tjera evropiane.
Transmetuesi finlandez, YLE, raportoi javën e kaluar se kompanitë ruse kanë filluar të ofrojnë udhëtime me makinë nga Shën Petersburgu për në aeroportet e Helsinkit dhe Lapenrantas në Finlandë, të cilat kanë lidhje direkte me disa vende në Evropë.
Qyteti i dytë më i madh i Rusisë është rreth 300 kilometra (186 milje) nga kryeqyteti finlandez.
Vizat e lëshuara nga Finlanda janë të vlefshme në pjesën më të madhe të zonës së udhëtimit të Evropës, e njohur si "zona Shengen", e cila përbëhet nga 26 vende: 22 vende të BE-së dhe Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.
Normalisht, njerëzit dhe mallrat lëvizin lirshëm ndërmjet këtyre vendeve pa kontrolle kufitare. Nëntëmbëdhjetë vende të tjera jashtë kësaj zone udhëtimi lejojnë të huajt që përdorin vizë Shengen.
Disa vende të BE-së nuk u japin më viza rusëve, përfshirë Letoninë, e cila e mori vendimin këtë muaj për shkak të luftës.
Vizat turistike për rusët pritet të diskutohen në një takim jozyrtar të ministrave të jashtëm të BE-së më 31 gusht, raportoi YLE.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të martën se shpreson që "arsyeja e shëndoshë" do të mbizotërojë përfundimisht në vendet evropiane që po bëjnë thirrje për të ndaluar rusët të udhëtojnë në BE.
Peskovi tha se propozimet për një ndalim të tillë zakonisht vijnë nga vende që Moska i ka konsideruar tashmë "armiqësore".
"Unë mendoj se me kalimin e kohës, arsyeja e shëndoshë do të shfaqet disi dhe ata që kanë bërë deklarata të tilla do të vijnë në vete," tha Peskov.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka dhënë gjithashtu një propozim kundër turizmit rus në një intervistë për The Washington Post të botuar të martën. Ai tha se “sanksionet më të rëndësishme janë mbyllja e kufijve” për udhëtarët rusë, “sepse rusët po ia marrin tokën dikujt tjetër”.
Rusët duhet “të jetojnë në botën e tyre derisa të ndryshojnë filozofinë e tyre”, tha Zelensky, duke shtuar se kufizime të tilla duhet të vlejnë për të gjithë rusët, madje edhe ata që u larguan nga vendi dhe kundërshtojnë luftën.
Kjo deklaratë është në kundërshtim me atë që tha Zelensky në mars, një muaj pasi Rusia dërgoi trupa në Ukrainë, kur ai u kërkoi rusëve të largoheshin nga vendi për të shmangur financimin e luftës me taksat e tyre.
I pyetur në lidhje me komentet e Zelenskyt në Washington Post, zëdhënësi i Kremlinit tha se kjo është "deklaratë ... që flet vetë", të cilën Moska e sheh si "jashtëzakonisht negative".