Ndërlidhjet

Autoritetet në Kosovë: Është avancuar statusi i vendit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s


Salla e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Salla e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Driton Hyseni, kanë thënë të dielën se Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e ka avancuar statusin e Kuvendit të Kosovës në këtë trup, nga ai vëzhgues në të asociuar.

Hyseni, njëherësh kryesues i delegacionit të Kuvendit të Kosovës në këtë Asamble, ka thënë se ky “është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësim të plotë të Kosovës në NATO”, dhe se vendimi do të zyrtarizohet përmes një votimi në Asamblenë parlamentare të NATO-s në sesionin pranveror, më 27 maj, në Sofje.

“Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit të Kosovës në Asamblenë e NATO-s, ne do të kemi zgjerim të delegacionit, përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe do të kemi të drejtë në adresimin e amendamenteve dhe komenteve për secilin proces e dokument i cili trajtohet nga Asambleja, të cilat më herët është dashur të bëhen përmes delegacioneve të vendeve tjera, kryesisht Shqipërisë”, ka thënë Hyseni përmes një postimi në Facebook.

Ministri Maqedonci e ka konsideruar vendimin si hap të madh drejt sigurisë dhe prosperitetit të Kosovës dhe rajonit.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar konfirmimin e NATO-s, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Për Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Asambleja Parlamentare e NATO-s përbëhet prej 281 delegatëve prej 32 vendeve anëtare të NATO-s. Secili delegacion krijohet në bazë të popullsisë së një shteti dhe parlamentit të tij.

Delegatët nominohen prej parlamenteve në vendet e tyre.

Përveç tyre, pjesë e Asamblesë janë edhe delegatë prej nëntë vendeve të asociuara, katër prej vendeve të asociuara të Mesdheut, dhe tetë vëzhgues parlamentarë që marrin pjesë në aktivitete, duke e çuar numrin total të delegatëve në 362.

Anëtarët e asociuar mund të marrin pjesë në pothuajse të gjitha aktivitetet e komiteteve dhe nënkomiteteve dhe në seancat plenare.

Ata mund të prezantojnë rezoluta dhe amendamente për rezolutat.

Ata, po ashtu, mund të shërbejnë edhe si raportues të posaçëm të asociuar në komitete për të përfaqësuar qëndrimet e tyre për raportet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Megjithatë, atyre nuk u lejohet të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqësinë e Asamblesë, dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

Zyrtarët shtetërorë të Kosovës kanë shprehur disa herë synimin për t’u bërë pjesë e NATO-s.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka përmendur se synon që vendi të anëtarësohet në programin e NATO-s, Partneriteti për Paqe.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur këtë vendim të Kosovës, ndonëse kanë tërhequr vërejtjen se për një anëtarësim të tillë duhet miratim i të gjitha vendeve të aleancës.

Nga 32 vende anëtare të NATO-s, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 28 prej tyre ndërsa katër (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) ende jo.

Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.

Aktualisht, NATO-ja është prezente në Kosovë përmes misionit të saj, KFOR.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG