Ndërlidhjet

Escobar: Largimi i KFOR-it nga Kosova nuk është në tavolinë


I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se plani evropian për Kosovën është i mirë dhe se “nuk i përshtatet asnjërës palë” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do “të humbas mundësinë” nëse ai nuk pranon ta zbatojë atë.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se masat ndëshkuese për Kosovën për shkak të mospërfilljes së kërkesave të aleatëve perëndimorë, nuk përfshijnë largimin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it.

Escobar e tha këtë të premten në një bisedë me gazetarët kroatë në Zagreb para se të nisej për në Forumin e Dubrovnikut , raporton agjencia Hina të shtunën, transmeton Beta.

Këto deklarata Escobar i bëri në kohën kur veriu i Kosovës po përballet me trazira.

Trazirat shpërthyen pasi kryetarët e zgjedhur shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe morën detyrën me asistencën e policisë, pas zgjedhjeve lokale që u bojkotuan nga shumica e serbëve.

I dërguari amerikan tha se ka "indikacione pozitive" se Beogradi mund t’i pranojë kërkesat e BE-së për dalje nga kriza, por se nuk mund të thotë të njëjtën gjë për kryeministrin e Kosovës Kurti.

Kërkesat e BE-së për Kosovën dhe Serbinë

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, më 22 qershor ka paraqitur kërkesat e bllokut evropian për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me shtensionimin e situatës në veri:

  • Kosovës i kërkohet që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative
  • Serbisë i kërkohet të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës
  • Të dyja shteteve u kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to

Në të kaluarën, Beogradi ka luajtur rol kyç në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e organizuara në Kosovë

“Ne shpresojmë që (Kurti) në një moment të plotësojë kërkesën evropiane dhe amerikane”, tha Escobar.

I pyetur se çfarë pasojash mund të ketë kjo për Kosovën dhe nëse njëra prej tyre do të ishte tërheqja e misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Escobar tha se kjo mundësi “nuk është në tavolinë”.

"Partneriteti ynë me Kosovën është partneritet me popullin kosovar, jo me një parti apo një figurë politike”, tha i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor.

Ai theksoi se pasojë e mospranimit të planit evropian është një mundësi e humbur.

"Kjo nuk është një masë ndëshkuese, është një mundësi e humbur. Kjo po i ndodh Kosovës tani sepse nuk po koordinohet me partnerët e saj", shtoi Escobar.

Serbia në vazhdimësi po kërkon formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, e cila parashihet në Marrëveshjen e Brukselit për Normalizimin e Marrëdhënieve nga viti 2013.

Kosova po përpiqet ta pengojë atë asociacion që të ketë kompetenca ekzekutive, duke theksuar se nuk dëshiron diçka si Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë në territorin e saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG