Ndërlidhjet

Abdixhiku: Institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me Qeverinë amerikane


Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. 15 nëntor 2022.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. 15 nëntor 2022.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se gjatë takimit me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka shprehur shqetësimin e tij dhe të LDK-së “për shkallën në të cilën institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me Qeverinë amerikane”.

Kështu tha ai, më 15 nëntor, pas takimit që pati me Escobarin në Departamentin amerikan të Shtetit. Ai ka nisur sot vizitën e tij zyrtare në SHBA.

“Për shtetin tonë të ri, aleanca me SHBA-në është jetike. Kështu ka qenë tash e më shumë se tri dekada”, ka shkruar ai në Facebook.

Abdixhiku tha se ia ka prezantuar Escobarit edhe pikëpamjet e LDK-së për gjendjen e fundit të sigurisë në Kosovë, si dhe nevojën e koordinimit të ngushtë të institucioneve të Kosovës me SHBA-në dhe me partnerët tjerë.

“Koordinimi i tillë është garanci për të kapërcyer të gjitha sfidat”.

“Edhe një herë, u bëj thirrje institucioneve të vendit që të bashkëpunojnë ngushtë me SHBA-të dhe partnerët e tjerë, në funksion të shtrirjes së sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, të sigurisë dhe të prosperitetit për të gjithë”, tha Abdixhiku.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Më 28 tetor, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti mori vendim për zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe me targa të Kosovës: RKS, përkundër kërkesës së ndërkombëtarëve që ky vendim të shtyhet për dhjetë muaj.

Në ditën kur u mor ky vendim, Shtetet e Bashkuara u shprehën “të zhgënjyera dhe të shqetësuara” me mosshtyrjen e vendimit edhe për dhjetë muaj të tjerë, ashtu siç kërkuan ato. Zhgënjim të ngjashëm, më 29 tetor, shprehu edhe Bashkimi Evropian.

Në kërkesën e Radios Evropa e Lirë drejtuar ekzekutivit, më 31 tetor, për të komentuar “zhgënjimin” e shprehur nga aleatët ndërkombëtarë, u tha se Qeveria e Kosovës “është treguar konstruktive dhe kreative në adresimin e brengave që ndajnë për rajonin” aleatët e saj.

Vendimi, i cili ka nisur të zbatohet më 1 nëntor parashihet të zbatohet në tri faza. E para është qortimi i shoferëve që vozisin makina me targa të tilla; faza e dytë është gjobë prej 150 eurosh për ata shoferë dhe e treta janë targat provuese.

Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të tij, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Data 18 dhjetor është shpallur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si datë e mbajtjes së zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan - që të gjitha komuna të banuara me shumicë serbe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka nisur përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve.

Lista Serbe tha se kjo parti dhe qytetarët që e mbështesin atë, nuk do të jenë pjesë e këtij procesi zgjedhor.

Sshefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha më 14 nëntor se Kosova dhe Serbia, urgjentisht, duhet të tregojnë gatishmëri për uljen e tensioneve.

Ai tha se 21 nëntori - dita kur, sipas planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave, pritet të nisë gjobitja e shoferëve me targa të paligjshme - nuk duhet t'i gjejë Kosovën dhe Serbinë pa një marrëveshje për targat.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG