Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka bërë thirrje homologut të vet rus, Vladimir Putin, të mërkurën, të mos i përshkallëzojë më shumë tensionet, pasi Moska i sulmoi me dronë objektet jetike për eksportimin e drithërave nga Ukraina.
Erdogani luajti rol kyç në ndërmjetësimin e marrëveshjes tashmë të prishur për eksportimin e sigurt të drithërave ukrainase përmes Detit të Zi, dhe e ka pozicionuar veten si ndërmjetësues në konflikt.
Lideri turk tha se “nuk duhet të merret asnjë hap i cili do t’i përshkallëzonte tensionet në luftën Rusi-Ukrainë”.
Ai e nënvizoi rëndësinë e marrëveshjes së drithërave, të cilën ne quajti “ura për paqe”, thuhet në një komunikatë për media të Presidencës turke.
Ujdia, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, ia mundësonte Ukrainës të eksportojë drithëra përmes porteve të saj në Detin e Zi, por përfundoi muajin e kaluar kur Moska u tërhoq nga ajo.
Sulmet ruse me dronë i kanë dëmtuar objektet e drithërave në portet e Ukrainës, Odesa dhe Izmail, gjatë natës, thanë autoritetet ukrainase më 2 gusht.
Si pasojë e sulmeve ruse, një depo drithi, silose drithi dhe magazina tjera drithi u dëmtuan apo shkatërruan, thanë prokurorët ukrainas.
Erdogani i tha Putinit se pasiviteti afatgjatë i marrëveshjes së drithërave “nuk do t’i bëjë dobi askujt”, dhe se vendet në nevojë do të vuanin më së shumti, sipas Presidencës turke.
Erdogani tha, gjithashtu, se çmimet e drithërave që ranë për 23 për qind sa ishte në fuqi marrëveshja, u rritën për 15 për qind gjatë dy javëve të fundit.
Ai u zotua se Turqia do t’i vazhdojë me këmbëngulje “përpjekjet intensive” dhe diplomatike për ta kthyer në fuqi marrëveshjen.
Dy liderët po ashtu u pajtuan për një vizitë të Putinit në Turqi, sipas zyrës së Erdoganit, e cila nuk tregoi ndonjë datë të caktuar, megjithatë.