Ndërlidhjet

Erdogan lobon që Musk të hapë fabrikë të Teslas në Turqi


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan në takim me miliarderin Elon Musk në Nju Jork.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan në takim me miliarderin Elon Musk në Nju Jork.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka bërë thirrje manjatit amerikan Elon Musk që ta hapë një fabrikë të re të Teslas në Turqi, duke u bërë lideri i fundit që lobon kështu te njeriu më i pasur në botë.

Erdogan dhe Musk kanë mbajtur një mori takimesh në Turqi dhe në margjina të forumeve ndërkombëtare, duke e thelluar miqësinë edhe më tepër të dielën në Nju Jork.

Zyra e Erdoganit ka thënë të hënën se ai i ka kërkuar Teslas që ta hapë fabrikën e shtatë në Turqi.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, Anadolu, ka thënë se Musk i ka thënë Erdoganit se shteti i këtij të fundit është ndër “kandidatët më të rëndësishëm” për hapje të fabrikës së re.

Përpjekje të ngjashme me të Erdoganit kanë bërë edhe presidenti francez, Emmanuel Marcon, i cili e ka takuar Muskun në qershor, si dhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

Erdogan është në Nju Jork për të marrë pjesë në takimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ai do të mbajë një fjalim në të, të martën.

Tesla aktualisht i ka gjashtë fabrika, përfshirë dy jashtë Shteteve të Bashkuara – një në Shangai, të fokusuar në tregun aziatik dhe një tjetër në Berlin, të fokusuar në tregun evropian.

Aktualisht kompania është duke e hapur një fabrikë në Meksikë dhe planifikon që të ketë prezencë edhe në Indi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG