Ndërlidhjet

Zaev: Një opsion për emrin i pranueshëm për të dyja palët 


Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe kryeministri grek, Aleksis Tspiras, gjatë takimin në Sofje të Bullagarisë, 17 maj, 2018.
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe kryeministri grek, Aleksis Tspiras, gjatë takimin në Sofje të Bullagarisë, 17 maj, 2018.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka deklaruar se bashkë me homologun e tij nga Greqia, Aleksis Tsipras, kanë ardhur deri te një opsion i pranueshëm për të dyja palët rreth kontestit për emrin e Maqedonisë.

Zaev dhe Tsipras kanë biseduar në Sofje të Bullgarisë, ku po mbahet Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor.

“Një nga opsionet është zgjidhje e pranueshme për të dyja palët. Ne, do të vazhdojmë me konsultimet me vendet tona që të shohim nëse një zgjidhje e tillë është e mundshme të zbatohet nga institucionet e sistemit dhe nëse është e mundur, me siguri se do të kemi zgjidhje... Unë jam Zorani, ndërsa partneri im është Aleksisi dhe ne jemi vetëm se njerëz, pra duhet të mbajmë llogari se si kjo mund të zbatohet në mënyrë institucionale. Duhet të bisedojmë me presidentët e dy shteteve, me liderët e opozitës për të gjitha detajet që kanë të bëjnë me këtë çështje”, ka deklaruar Zaev, pa dhënë detaje për zgjidhjen e mundshme, apo opsionin, siç e përmendi ai.

Zaev ka thënë se kjo zgjidhje do t’i hapte mundësinë mbylljes përfundimtare të kontestit, që do të ishte inkurajim për shtetet anëtare të BE-së dhe të NATO-s, për t’i hapur rrugën anëtarësimit të Maqedonisë në këto institucione.

Në rast se dështon edhe ky opsion, Zaev ka deklaruar se të dyja palët nuk do të zmbrapsen nga bisedimet, por do t’i vazhdojnë përpjekjet deri në arritjen e saj.

“Dëshira jonë është që tani të ketë zgjidhje, pasi do të ishte inkurajim për Këshillin Evropian, pasi siç e dimë, në fund të qershorit do të mbahet Samiti evropian... Në korrik do të ketë edhe samit të NATO-s që, gjithashtu, do të ishte një inkurajim plus për një ftesë për ne për anëtarësim. Por, nëse kjo nuk bëhet, apo nuk ka zgjidhje, ne do të vazhdojmë në kërkimin e zgjidhjes derisa të arrijmë marrëveshje”, ka deklaruar Zaev.

Ai ka theksuar se me homologun e tij grek, gjithashtu, kanë miratuar të gjithë progresin e deritashëm të arritur në bisedimet që janë zhvilluar nga shefat e diplomacive të dy vendeve.

Mediat në Shkup kanë raportuar për një zgjidhje të mundshme, por zbatimi i së cilës do të realizohej në faza. Maqedonia, sipas mediave, do të pranonte një emër të ri, me gjasë “Republika e Maqedonisë Veriore”, për përdorim të gjithanshëm, si brenda ashtu edhe në relacionet ndërkombëtare, por kjo zgjidhje të hynte në fuqi paralelisht me procesin e integrimit të vendit të NATO dhe BE. Greqia, siç bëhet e ditur, do të pranonte anëtarësimin në NATO, por ratifikimi në Parlamentin e Greqisë, do të bëhej në momentin kur Maqedonia do të bënte ndryshimet kushtetuese për zyrtarizimin e emrit të ri, sipas formulës “erga omnes”.

Veç kësaj, Maqedonia do të merrte edhe datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe ky proces nuk do të mbyllet pa zbatimin e plotë të marrëveshjes eventuale me Greqinë.

Njoftimet mbi një marrëveshje të tillë, që do të përfshinte edhe zgjidhjen e çështjes së gjuhës maqedonase, ka nxitur reagimin e opozitës, e cila tani disa ditë kërkon takim të liderëve të partive politike.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG