Ndërlidhjet

Emiratet e Bashkuara japin 15 milionë dollarë ndihmë për Bregun Perëndimor


Shtëpi, lokale dhe infrastrukturë e dëmtuar në Bregun Perëndimor pas luftimeve me forcat izraelite.
Shtëpi, lokale dhe infrastrukturë e dëmtuar në Bregun Perëndimor pas luftimeve me forcat izraelite.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë zotuar të japin 15 milionë dollarë ndihmë për rindërtimin e kampit të refugjatëve në Xhenin të Bregut Perëndimor.

Kampi u dëmtua rëndë gjatë një operacioni të madh ushtarak nga Izraeli, i cili ishte më intensivi në gati njëzet vjet.

Ofensiva kishte në shënjestër militantët palestinezë pas një serie sulmesh ndaj izraelitëve, që rezultuan në zhvendosjen e mijëra individëve.

Dymbëdhjetë palestinezë dhe një ushtar izraelit humbën jetën gjatë konfliktit.

Emiratet e Bashkuara Arabe do t'i ndajnë fondet për UNRWA - Agjencinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët e Palestinës, me qëllim rindërtimin e shtëpive dhe bizneseve në kamp, si dhe mbështetjen e shërbimeve të agjencisë.

Agjencia UNRWA është përballur me sfida financiare kohët e fundit, duke luftuar për të siguruar fondet e nevojshme për operacionet e saj të vazhdueshme që ndihmojnë miliona njerëz në Lindjen e Mesme.

Gjatë operacionit të fundit ushtarak izraelit në Xhenin, rrugët u pastruan me forcë nga buldozerët për t'i hapur rrugë numrit të madh të ushtarëve që shkuan atje.

Zona, e cila ka popullsi të dendur, me afërsisht 24,000 banorë, u la pas me rrugë të shkatërruara, grumbuj asfalti të thyer, dhe gurë të shpërndarë përreth. Makinat u dëmtuan rëndë dhe disa u përmbysën e u dogjën.

Gjatë një konference donatorësh muajin e kaluar, UNRWA nuk arriti objektivin e saj për mbledhjen e fondeve prej 300 milionë dollarësh, të cilin e konsideroi të nevojshme për të vazhduar ndihmën e palestinezëve. Vetëm 107 milionë dollarë u ndanë nga vendet donatore.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara kishte paralajmëruar më parë se agjencia ishte në prag të kolapsit financiar.

Izraeli nisi pushtimin e kampit, i cili prej kohësh njihet si një bastion i militantëve palestinezë, me qëllim shkatërrimin dhe konfiskimin e armëve. Operacioni përfshinte sulme ajrore dhe vendosjen e qindra trupave ushtarake.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG