Gjykata e Selanikut ka vendosur të shtyjë për në janar vendimin për ekstradimin e dy ish-zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkoski. Ndërkohë që po të njëjtën ditë në Shkup është shtyrë për në janar seancat gjyqësore për rastin e njëjtë, të koduara “Target“ dhe “Fortesa”. Shtyrja e seanca gjyqësore është bërë për shkaqe procedurale.
Ndryshe, rastet të cilat i ka ngritur Prokuroria Speciale Publike, të koduara “Target” dhe “Fortesa”, kanë të bëjnë me ndjekjen e autorëve të cilët kanë urdhëruar përgjimin në mënyrë ilegale në Maqedoni dhe shkatërrimin e pajisjeve për përgjim.
Në këtë rast gjyqësor, në mesin e 11 të akuzuarve është edhe ish- ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska , ish-drejtori i policisë sekrete Sasho Mijallkov, si dhe dy zyrtarët e lartë të drejtorisë së pestë të dikasterit të Policisë, të cilët ndodhen në paraburgim në Greqi.
Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Speciale, zyrtarët e lartë të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim kanë dhënë urdhër, në mënyrë të paligjshme, të përgjohen mbi 20 mijë qytetarë. Ata nuk kanë pasur urdhër të gjykatës për të kryer këto përgjime.
Sistemi përmes së cilit janë përgjuar politikanë, biznesmenë, gazetarë dhe figura të tjera, më pas është shkatërruar nga zyrtarët e policisë sekrete, Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkoski, të cilët pritet të ekstradohen nga Greqia.
Ish-drejtori i policisë sekrete Sasho Mijallkov, nuk ka dashur që të prezantojë para gazetarëve se mbi cilat dëshmi po ndërtohet mbrojtja e tij në këtë proces gjyqësor.
“Ende është herët të thuhet”, ka deklaruar shkurt para gazetarëve ish-drejtori i policisë sekrete Sasho Mijallkov, pasi gjykata morri vendim për shtyrjen e seancës gjyqësore për në muajin janar.
Por, njohësit e çështjeve juridike për Radion Evropa e Lirë thonë se ky rast është vështirë të marrë epilog gjyqësor. Sipas tyre, me hapjen e këtij rasti, zbërthehet e tërë skema e kapjes së shtetit nga politika gjatë dekadës së fundit, andaj po synohet që me çdo kusht të prolongohet ky rast gjyqësor.
“Fatkeqësisht një pjesë e politikanëve apo ish-politikanëve dëshmohet se e kanë kriminalizuar dhe vet gjyqësorin”.
“Problemi qëndron në atë se gjyqësori në Maqedoni nuk është vetëm i politizuar, por është i kriminalizuar. Vet gjyqtarët, duke e ditur forcën e individëve të caktuar, të cilët janë më të fuqishëm se vet shteti, dëshmon se shteti është i gllabëruar, sepse mungon ai imazhi i fuqishëm për të dëshmuar se çdo person që ka fajësi duhet të përgjigjet para organeve të drejtësisë”, vlerëson Bashkim Selmani ish-gjykatës, i cili aktualisht ligjëron në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës.
Sipas dëshmive të Prokurorisë Speciale, policia sekrete e Maqedonisë ka vazhduar të përgjojë figurat e larta të shtetit në mënyrë të paligjshme edhe pas publikimit të të ashtuquajturave “bomba” nga ana e liderit të atëhershëm të opozitës maqedonase , aktualisht kryeministër i Maqedonisë, Zoran Zaev.