“Investitorët amerikanë janë të interesuar për një zonë të veçantë ekonomike në Kosovë ku do të mund t’i gjenin kushte minimale infrastrukturore për të shtrirë investimin e tyre. Institucionet e Kosovës do të duhet ta mos neglizhojnë këtë zonë dhe të jetësohet”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka.
Zeka flet edhe për takimet që kanë zhvilluar me delegacioni nga Iowa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilët ishin në vizitë në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Zeka, Qeveria e Kosovës ka iniciuar themelimin e Zonës së veçantë Ekonomike Amerikane. Çfarë nënkupton kjo zonë, nëse mund ta shpjegoni?
Arian Zeka: Kjo do të jetë përgjigje e shumë kërkesave të cilët investitorë amerikan shpesh herë i kanë që në rast se ata vendosin të vinë të investojnë në Kosovë a ka ndonjë hapësirë të gatshme që ata mund të vendosen dhe të kenë kushtet minimale infrastrukturore që më pas të nisin qoftë me ndërtimin e çfarëdo objekti në të cilin ata synojnë në ushtrojnë aktivitetin e tyre afarist.
Jo më larg se këtë javë e kishim një takim edhe në Ministrinë e Financave me një pjesë të bizneseve që janë pjesë e delegacionit nga Iowa dhe kjo ishte pyetja që ata patën, se a ka diçka të gatshme ku ata mund të nisin aktivitetin që në ditën e parë.
Radio Evropa e Lirë: A prisni që kjo zona e veçantë ekonomike amerikane të krijohet?
Arian Zeka: Nëse e marrim si shembull një referencë nga viti 2013 kur është miratuar Ligji për zona ekonomike edhe e shohim se ligji asnjëherë nuk është zbatuar tani e pesë vite, atëherë kjo më të drejtë e nxit skepticizim tonë se as kësaj radhe zona e veçantë ekonomike amerikane mund të mos jetësohet asnjëherë. Ajo që është si vërejtje për këtë qeveri nga ana e komunitetit të biznesit besoj që është mungesa e transparencës.
Ne kemi marrë informatën për themelimin e kësaj zone nga burimet tona brenda qeverisë, por jo në mënyrë zyrtare. Po flasim 19 vite pas çlirimit të vendit ku dikush do të priste që do të ketë komunikim më të madh në nivel zyrtar ndërmjet sektorit publik dhe atij privat ne ballafaqohemi me mungesë të transparencës dhe këtu faj i vë Zyrës së kryeministrit dhe Agjencionit kosovar për mbështetjen e investimeve dhe ndërmarrjeve i cili kishte diku një kohë të gjatë që kishte punuar në koncept dokumentin por asnjëherë nuk e kishte ndarë me publikun, nuk po them këtu vetëm Odën Amerikane, por po i përmendi edhe organizatat tjera që do të kishin interes për të komentuar një dokument të tillë të rëndësishëm.
Radio Evropa e Lirë: Në Kosovë po qëndron një delegacion nga Iowa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju jeni takuar me këtë delegacion, andaj cili është interesimi në këtë rast për bashkëpunimi dhe thellim të investimeve amerikane në Kosovë?
Arian Zeka: Ne kemi qenë pjesë e aranzhimit të vizitës së tyre në Kosovë kemi përcaktuar disa takime në kuadër të agjendës së tyre të përgjithshme. Bëhet fjalë për një delegacion me mbi 55 persona varësisht secili nga këndvështrimi ekonomik, politik, ushtarak. Delegacioni është udhëhequr nga tre persona si përfaqësuesi i Senatit të shtetit të Ioëa Zach Nunn, komandanti i Gardës Nacionale të Ioëa Gjeneral Majori Timothy Orr, dhe drejtoresha e organizatës për themelin e marrëdhënieve si motra me shtete e tjera Kim Heidemann.
Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës ka nisur vite më parë është konkretizuar me marrëveshjen e partneritet për shtet si motra të nënshkruar ndërmjet ish presidentes Atfete Jahjaga dhe ish guvernatorit të shtetit të Ioëa.
Fillimisht, bashkëpunimi ka nisur në nivel ushtarak ndërmjet gardës nacionale të shtetit të Ioëas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, mirëpo viteve të fundit dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së partneritetit, bashkëpunimi është shtirë edhe në fushat tjera si në aspektin afarist, në arsim dhe tani së fundi ka edhe iniciativa për rritej të bashkëpunimit edhe në sport.
Oda amerikane e Kosovës ka pasur disa delegacione në shtetin e Ioëas kemi një partneritet me atë që atje njihet si shoqata më e madhe e biznesit që përfaqëson 15 mijë komani e që ato janë pjesë e këtij delegacioni dhe kemi pasur mundësi të ju tregojmë një Kosovë ndryshe nga ajo që ata mund të perceptojnë. Kemi vizituar kompani të ndryshme si kompani farmaceutike, kompani që prodhojnë produkte të plastikës industri kjo që është në rritej në Kosovë, pra ju është prezantuar diçka që nuk kanë pritur që të shohin në Kosovë.
Pra, ideja është që të kemi misione që ne i quajmë dyer trokitëse dyer hapëse të shkëmbejmë kontakte e që në muajt në vijim të kemi një bashkëpunim më të madh më konkret i cili do të sjell rezultate konkrete.
Radio Evropa e Lirë: Në cilët sektorë në Kosovë mund të shtrihen investimet amerikane dhe sa ka interesim të tyre që të vijnë në Kosovë?
Arian Zeka: Ne në Odën Amerikane në Kosovë gjithmonë kemi promovuar sektorin e energjisë dhe minerave si sektor që bazohen në burimet tona natyrore pastaj është sektori i teknologjisë së informacionit që mund të zhvillohet edhe më tej, pastaj është bujqësia.
Këta janë tre sektorë që ne i promovojnë përpara investitorëve të huaj, por natyrisht që investitorët e huaj varësisht nga biznesi që ata specializojnë mund të zgjedhin edhe sektorë të tjerë.
Me rëndësi është që shteti duhet të ofrojë një kornizë tërheqëse ligjore që besoj që e kemi, por në anën tjetër mungon edhe zbatimi praktik i të gjitha dispozitave ligjore, nuk bëhet fjalë vetëm për burokraci e kombinuar edhe me veprime korruptive e cila pastaj pamundëson që të kemi rezultate më të mëdha në tërheqjen e investitorëve të huaj.
Shteti duhet të punojë në promovimin e një brendi nacional. Është e rëndësishme të berit e sotëm biznes në nivel global që të ndërtohen këto brende nacionale që investitorët pavarësisht nga cili shtet apo kontinent vinë të din për shtet e tjera ku ata mund të investojnë.
Është mëkat që me gjithë zhvillimet pozitive në aspektin e harmanizimit të legjislacionit tonë më atë të BE-së Kosova nuk arrin të promovojë këto anë pozitive dhe sërish dominon imazhi negativ për vendin tonë.
Sërish një kritikë për Agjencinë për promovimin e ndërmarrjeve dhe investimeve që ka bërë pak në këtë aspekt.
Radio Evopa e Lirë: Përfaqësues të mekanizmave financiar ndërkombëtarë në vazhdimësi po tërheqin vërejtjen për nivelin e lartë i korrupsionit në Kosovë. Sa dëmton ky nivel i korrupsionit bizneset në vend?
Arian Zeka: Së fundmi Oda Amerikane e Kosovës ka publikuar një studim mbi perceptimin e bizneseve për korrupsionin në Kosovë dhe si gjithmonë në studime të tilla rezulton që perceptimi për korrupsionin është mjaft i lartë mirëpo në anën tjetër ka një diskrepanc në aspektin e pranisë reale të korrupsionit.
Janë diku mbi 80 për qind të bizneseve të anketuara që thonë se besojnë që ka korrupsion, por në anën tjetër ka shumë pak prej tyre që thonë se janë përballur me të.
Megjithatë, perceptimi si i tullë është një indikatorë shumë i rëndësishëm të cilin investitorët ndërkombëtarë dhe të brendshëm e kanë parasysh. Asnjë investitorë, asnjë kompani nuk do të donte të investonte financat e saj në një vend ku ka rrezik për sa i përket kthimit nga ai investim.
Janë treguar rezultate të pakta në luftën e korrupsionit. Bizneset besojnë se nuk bëhet punë e mjaftueshme nga ana e prokurorisë dhe sistemit gjyqësor i cili në anën tjetër raportohet se është i korruptuar.
Radio Evropa e Lirë: Kosova vazhdon të ketë nivel të ulët të eksportit në vendet e rajonit dhe më gjerë. Çfarë po i pengon prodhuesit kosovarë që të depërtojnë më shumë në tregjet evropiane me produktet e tyre?
Arian Zeka: Besoj që e para është infrastruktura e cilësisë. Fatkeqësisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë jo vetëm në këtë mandat të qeverisë, por edhe në të kaluarën ka bërë pak pavarësisht se për këtë ka pasur përkrahje të organizatave ndërkombëtare.
Është dashur para hyrjes së marrëveshjes së Stabilizim Asocimit ne e kemi thënë si Oda Amerikane se ne momentin e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje kjo do t’i hap kufijtë për produktet vendore, por një pjesë e madhe e tyre gjatë përpjekjeve për eksport në BE nuk do të përballen me barriera tarifore kësaj herë por nevoja për përqafimin e standardëve ndërkombëtare të cilësisë që garantojë që një produkt i caktuar çfarëdo qoftë ai ushqimor apo tjetër i përmbush standardet minimale të kërkuar.
Kjo është ajo ku duhet përqendrohen përpjekjet institucionale, kjo është ajo ku bizneset kanë nevojë për dorën e shtetit. Tashmë nuk ekzistojnë barrierat të tjera për eksportin e produkteve tanë në tregjet evropiane, por pengesat janë të kësaj natyre.
Në anën tjetër duhet pranuar që edhe kapaciteti i prodhimit të bizneseve kosovare është mjaft i limituar, në shumë raste ato mezi i plotësojnë nevojat vendore e mos të flasim që të kenë kapacitete për plotësimin e nevojave të jashtme.