Ndërlidhjet

Maqedonci: NATO t'i trajtojë me seriozitet lëvizjet e Serbisë pranë kufirit me Kosovën


Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, kërkoi nga NATO-ja që të trajtojë me seriozitet vendosjen e trupave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën.

Gjatë një takimi me shefen e divizionit për operacione në Shtabin e Përgjithshëm të aleancës ushtarake perëndimore, Ariella Viehe, Maqedonci tha se dislokimi i trupave serbe përreth kufirit me Kosovën “përbën kërcënim të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit” Perëndimor.

Maqedonci tha po ashtu se Kosova është e përkushtuar që të vazhdojë bashkëpunimin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke shtuar se objektivi i shtetit është anëtarësimi në NATO.

Që kur janë rritur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, pas një sulmi të armatosur të një grupi serbësh ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit shtatorin e kaluar, zyrtarët në Prishtinë disa herë kanë akuzuar Serbinë për vendosjen e trupave ushtarake pranë kufirit me Kosovën.

Në mars të këtij viti ishte hera e fundit që Kosova pretendoi se Serbia kishte dërguar njësite ushtarake pranë kufirit, por këto pretendime të bëra nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u hodhën poshtë nga autoritetet serbe.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra.

Që nga ngjarjet në Banjskë, KFOR-i ka rritur praninë ushtarake në Kosovë dhe tani ka rreth 4.700 ushtarë.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX, me të cilat thotë se bashkëpunon ngushtë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG